ShowbizTe gjitha

‘Më sill nuse në shtëpi, pastaj le të vdes…’ Albert Dumani shpërthen në lot

Sa herë ka qenë i ftuar në studion e “Rudina”, Bert Dumani, drejtori i programacionit në Tv Klan, ka folur gjithmonë për programet e reja, serialet turke aq të ndjekur të publikun shqiptar, si dhe projektet e reja që Tv Klan sjell në çdo sezon.

Këtë herë, rikthimi në të njëjtën studio ka qenë jo vetëm për të rejat nga programacioni, departamenti të cilin ai drejton prej disa vitesh.

Ishte surprizë për të, por stafi i “Rudina” kishin rrëmuar më shumë për jetën e Bertit dhe kush e kishte parashikuar se do t’i jepte aq shumë emocion ftesa këtë herë?

“Kjo ishte surprizë për mua”, – i tha Berti Rudinës kur moderatorja i tha se këtë duhet të fliste më shumë edhe për jetën e tij private, meqenëse gjithmonë ka qenë i ftuar si drejtor programacioni. Përveç pasioneve jashtë ekranit, Berti rrëfeu edhe për fëmijërinë e tij të vështirë, për të cilën asnjëherë më parë nuk kishte folur në publik.

Sapo pa një foto kur ishte ende fëmijë, ku kishte dalë me të ëmën, Berti u përlot. Aty, me shpinë, nga larg, duket i ati. Ai është ndarë nga jeta kur Berti ishte vetëm 5 vjeç e gjysmë. Berti tregon se nuk ka qenë një fëmijëri e lehtë. Dy prindërit e tij nuk ishin martuar kurrë. Familjet, në atë kohë nuk lejonin martesat e feve të ndryshme, ndaj kjo ishte arsyeja pse kjo martesë nuk e bekua nga to. Vetëm pas ardhjes së tij në jetë, familjet u bashkuan, por shumë pak vite pas lindjes, për fat të keq, i ati u sëmur rëndë: “Mami nuk u martua kurrë me babain, ata nuk bënë as dasmë. Mami ishte 25 vjeç dhe mbeti e vetme. Ky është një peng i madh për mua, që prindërit e mi nuk kanë bërë kurrë dasmë…” – rrëfen Berti ndër të tjera.

Sëmundja e të atit ishte ajo që më shumë se gjithçka e bëri Bertin të emocionohej: “Mbaj mend që flija anash me mamin. Ai ishte me kancer në pankreas…”

E ëma ishte vetëm 25 vjeç pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit, por vendosi të mos martohej më kurrë. Edhe pse i ati i thoshte të vazhdonte jetën e saj, sepse djalin mund ta mbante ai, ajo nuk e la Bertin vetëm. Ndaj edhe sot, ata janë gjithmonë bashkë, të dy: “Çdo njeri e thotë për nënën, por ajo është është heroina ime, mbretëresha ime. Unë ia kam thënë gjithmonë këtë. Unë dua që ajo të mos qajë më kurrë. Më ka rritur me shumë sakrifica, me ato që kishim….” – tregon Berti mes lotësh.

Pas kësaj, Bertit i vjen përmes një videomesazhi e ëma, e cila i thotë se është shumë krenare për të: “Një djalë si ty ia dëshiroj çdo nëne”, – tha ajo ndër të tjera, por nuk la pa përmendur edhe një porosi që, me siguri, e kanë të gjitha nënat që i kanë djemtë në moshën e Bertit: “Ti duhet të gjesh një vajzë të mirë që të ma bjesh në shtëpi, pastaj le të vdes, se ndryshe nuk kam guxim të vdes…”

Çfarë përveç lotëve mund ta shoqëronte këtë deklaratë prej nëne?

Më shumë

Artikuj të ngjashëm