Lajme

Skandal në Ministrinë e Mbrojtjes, dështojnë operacionet antidrogë

Hije skandali në Ministrinë e Mbrojtjes. Mosfunksionimi i sistemit të radarëve të vëzhgimit në det ka shkaktuar dështimin e aksioneve antidrogë të policisë. “BalkanWeb” zbulon letrën që drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Cako, i ka dërguar Ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj me 31 gusht 2017 ku e vë në dijeni për situatën e krijuar.

Kryepolici i referohet operacionit të mbrëmjes së 11 gushtit, ku forcat e policisë dështuan për kapjen e një gomoneje, që ishte nisur dy milje nga Plazhi i Zvërcenit, për shkak se qendra dha kordinata ta pasakta të lëvizjes së mjetit.

Në letër thuhet se “Mosdhënia e informacionit krijoi konfuzion dhe pati raste kur mjetet që merrnin pjesë në operacion filluan të ndiqnin njëra-tjetrën në hapësirën detare. Pas kapjes së gomones poshtë radarit të qendrës, rezultoi se nga sistemi nuk ishte konstatuar asnjë lëvizje”.

Por nuk mbetet me kaq. Kryepolici Cako ngre shqetësim edhe për situata të tjera të ngjashme, që kanë sjellë për pasoje dhe mosndërhyrjen e forcave të policisë.

“Në mjaft raste përfaqësuesit e policisë kanë kërkuar kthimin mbrapa të sistemit për ngjarje, me orare dhe data konktrete, të lëvizjes së mjeteve lundruese të konstatuara nga shërbimet e policisë, por në asnjë rast në sistem nuk ishin evidentuar dhe nuk u gjetën gjurmë të dhënat, megjithëse mjetet lundruese të kapura nga Guardia di Finanza në Itali kanë qenë me përmasa që duhet të ishin zbuluar, identifikuar nga ky system”, shkruan drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, raporton “BalkanWeb”.

Ne letrën e tij, Çako thekson faktin se sistemi i vëzhgimit të hapësirës detare nga radarët, ka shfaqur probleme të shumta.

“Sistemi i vëzhgimit të hapësirës detare nuk iu përgjigjet nevojave operacionale, për kontrollin dhe mbikqyrjen e kufirit detar, dhe nuk bën të mundur identifikimin e mjeteve lundruese. Kjo situatë ka vështirësuar punën dhe shërbimin e efektivave tona në luftën kundër trafiqeve të paligjshme në hapësirën detare”, shkruan Çako.

Numri një i Policisë së Shtetit, kërkon nga Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj të ndërhyjë në rrugë institucionale, me qëllim marrjen e masave për plotësimin dhe përmirësimin e cilësisë së parametrave të sistemit, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të rritet performanca e policisë së shtetit në luftën antikanabis, sipas “BalkanWeb”.

Show More

Related Articles