Opinion

TË DËSHPEROHESH PËR SHQIPËRINË, NË ISCHIA

Të vjen për të qarë për Shqipërinë, kur je në Ischia, ishullin me rreth 60 mijë banorë, që tërheq mbi 6 milionë turistë në vit, mes tyre ajkën e të pasurve dhe njerëzve publik.

34 km vijë bregdetare të rrahur nga ujërat e Adriatikut … për ne shqiptarët nuk përben imazh eskluziv, po ta krahasosh me jugun. (5 km ka vetëm Borshi, lagur nga deti Jon).

Ky ishull nuk ka asnjë burim ujor të pijshëm. Ujin e merr nga Napoli 90 min larg udhëtim me traget. E megjithatë, uji gjithkund nuk mungon dhe në hotelin më të lirë.

Bukurinë ia jep, ndërsa udhëton drejt tij, Castello Aragonese, që ngjan me kalanë e Vasiliqisë në Porto Palermo. Por, këto dy vendqëndrime kanë një ndryshim thelbësor: Vlerësimin!

Për të hyrë në Castello Aragonese paguhet 10 euro.

Ke hartë orientimi për 22 vende, që duhet t’i vizitosh. Nga 22 pika në hartë, 10 janë vende vrojtimi për të shijuar pamje deti dhe të ishullit.

Më besoni pamja nga kalaja e Vasiliqisë është 10 herë më unike. Por, kjo e fundit nuk ka asgjë, përveç një personazhi pasionant, që rri e përcjell turistë, të cilët hyjnë nëpër dhomat e errëta, pa kuptuar asgjë.

Ai ka një tarifë 150 lekë për të hyrë në kalanë tonë shurdhmemece.

Ischia, ishulli i famshem mburret dhe me verën, djathin, prodhime artizanale përfshi dhe qeramikën. Këto i gjen të reklamuara në të gjitha portet kryesisht në rrugë pedonale.

Të vjen për të qarë, kur shikon mirëorganizimin, që shet dhe sapunin për djath.

Të paktën për ne shqiptarët që kemi vijën bregdetare më të bukur se ky ishull që i marros të gjithë dhe biodiversitetin e pasur.

Nga super reklama dhe organizimi kuptova që jo të 6 milione turistët shkojnë për ujërat termale, edhe pse ia vlen të shkohet vetëm për to (60 të tilla ka). Por, kur shijon parqet termale, prape dëshperohesh, kur mendon se në vendin tënd ke dhjetra burime me ujëra termale, që shkojnë dëm, aq sa profesor Romeo Eftimi një ditë më ndalon në rrugë dhe këmbëngul të bëhet një emision për këtë dhuratë që ka Shqipëria dhe që nuk shfrytëzohet.

Libri i tij prej 200 faqesh për të gjitha burimet termale natyrisht konsiderohet thjesht pasion dhe as është lexuar. Ne njohim lixhat e Dibrës, Elbasanit, Fushëkrujes dhe Përmetit. Por burimet tona termale janë pothuajse kudo. Me aq ujë sa kanë llixhat e Dibrës, në Ischia ishte ndërtuar park me 12 pishina në një siperfaqe 5 hektarësh, pa qenë nevoja të mbyllesh në vaska.

Nje ditë në këtë ishull ke mundësinë të njihesh dhe me historinë e pazakontë të një çifti anglez, të cilët blenë tokën më të shkretë, për të ngritur kopshtin më të rrallë me bimë tropikale dhe mesdhetare.

Imagjinoni, të ndertosh kopësht në një tokë shkëmb dhe pa asnjë burim ujor.

Ky çift donte të jetonte në qetësi dhe nuk menduan për shtëpi luksoze, por gjelberim “luksoz”.  Nuk morën arkitekt ndërtimi, por arkitekt gjelberimi. Për ta nuk kish rëndësi banesa, por ambienti rrotull saj. Për 10 vjet ngritën kopështin më të gjelbëruar dhe me bimët më të rralla të quajtur kopështi “La mortella”.

Shpirti natyralist i këtij çifti i ka lënë një tjetër pasuri ishullit, ku çdo vizitor paguan 12 euro.

Ndërsa ecën nëpër rrugicat e “La Mortella” dëshperimi bëhet më i madh kur mendon vendin tënd, ku uji shpërthen rrëke dhe nuk ke nje kopësht askund.

Përball bukurisë ndërtuar nga shpirti njerëzor në Ischia, të dhimbset bukuria natyrore që shkon dëm në vendin tënd.

Unë nuk arrij dot të shijoj Ischian.

Duke parë këtë ishull marr shumë deshperim.

Në Ischia është takimi më i domosdoshëm për të kuptuar se si bëhet turizëm.

Alma Çupi

Show More

Related Articles