Lajme

Tentativë për të helmuar At Nikolla Marku. Ja skenari makabër

Ka dështuar tentativa për të helmuar me verë at Nikolla Markun, në Elbasan.

Ky lajm konfirmohet nga vetë at Nikolla i cili u shpreh se “perëndia e shpëtoi për mrekulli dhe tani ndodhet nën kujdesin e saj”.

Prifti i kishës “Shën Maria” në qytetin e Elbasanit, tregon se kjo është dorë e kishës greke që, sipas tij, ka kohë që kërkon ta eleminojë për shkak të kundërshtive, veçanërisht me Kryepeshkopin Janullatus.

At Nikolla është shprehur se, ka zbuluar edhe cili është personin që ka kërkuar ta helmojë duke i hedhur helm në verë.

Por, ajo që e shokuar priftin është fakti se personi që ka tentuar ta helmojë është pagëzuar në këtë kishë dhe ka qëndruar pranë tij për vite me radhë.

Rrëfimi i plotë i At Nikolla Markut:

“Është e pabesueshme ajo që ka ndodhur. Kemi fakte historike, kam lexuar e dëgjuar për bëmat e kishës greke por, se do të isha edhe unë protagonist këtë, se kisha imagjinuar. Kam menduar se kohët kanë ndryshuar, pavarësisht divergjencave tona, puna nuk do të arrinte deri këtu. Por ja që është një fakt rrëqethës. Unë zbulova skenarin se si do të më eliminonin. Dhe ky eliminim ishte përgatitur me kohë, dalëngadalë për të pasur një fund të sigurt. Një skenar makabër i përgatitur nga qarqet të errëta të kishës dhe shovinistëve grekë. Mortati ishte brenda në kishë, fare pranë meje. Në momentin final personi në fjalë duket se nuk do ta bante më mëkatin ndaj më tregoi gjithçka. Ai më tha se ishte instruktuar që të vidhnin dhe kopjonin çelësat e kishës, të hynin brenda saj, të hidhnin helm në verë. Madje ishin interesuar edhe për peshën time trupore që gjithçka të ishte e sigurt. Kur më tregoi, i thashë personit në fjalë: A do ti deklarosh këto gjëra para shokëve të tjerë?

Që nga ajo kohë u zhduk. Të gjitha këto ia kam deklaruar organeve kompetente. Unë vuaj nga parkinsoni dhe sëmundja natyrisht që është e rëndë. Një nga shkaqet e sëmundjes është edhe stresi që kam hequr gjatë këtyre viteve në luftë i vetëm me kishën greke. Dhe ata po nxitojnë të më eleminojnë duke e justifikuar si një aksident të sëmundjes sime.

Madje kanë përgatitur edhe pasardhësin. Por janë të humbur. Perëndia më ka ndriçuar rrugën dhe kam zbuluar gjithçka. I zbulova dhe po i demaskoj para gjithë shqiptarëve, para gjithë botës. Kurrë nuk kanë për të na e marrë kishën tonë të themeluar nga Kryepeshkopi Visarion Xhuvani. At Nikolla rron dhe do të rrojë deri sa përpjekja për të pasur kishën tonë të jetë një realitet. Hiqni dorë nga skenaret e zeza se do iu mallkojë historia!”

Kisha “Shën Maria” në qytetin e Elbasanit njihet për oponencën e saj me kishën ortodokse autoqefale shqiptare.

At Nikolla Marku ka kërkuar që kisha autoqefale kombëtare shqiptare të drejtohet nga një Kryepeshkop me gjak shqiptar dhe jo një i huaj.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

1 thought on “Tentativë për të helmuar At Nikolla Marku. Ja skenari makabër”