Politike

Vendi është në prag të një gremine, është një katastrofë totale

Në qendër të vëmëndjes ka qënë raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, çështja e ngritjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore

Në qendër të vëmëndjes ka qënë raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, çështja e ngritjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe konfirmimi i të vërtetës së njohur botërisht nga shqiptarët se sot Shqipëria nuk qeveriset por sundohet nga bandat dhe nga klanet mafioze.

Raporti i OSBE/ODIHR-it e thotë qartë. Fakti i parë është se vota në 25 Qershor u ble, u dhunua, u tjetërsua. Fakti i dytë është se vota u ble, u dhunua dhe u tjetërsua nga Edi Rama dhe nga Partia Socialiste. Fakti i tretë është se blerja, dhunimi dhe tjetërsimi i votës nga Edi Rama dhe nga Partia Socialiste u bë përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe ndihmës së bandave kriminale dhe klaneve kriminale të krimit të organizuar anembanë Shqipërisë.

Qytetarët e kanë fare të qartë se kur një qeveri del nga shit-blerja e votës, kur një qeveri vjen në pushtet me votat e blera, edhe vetë qeveria është e blerë. Se kur përdoren kriminelët për të blerë, për të shantazhuar, për të dhunuar, për të mbledhur votat e qytetarëve, qeveria do ti përkasë kriminelëve dhe jo qytetarëve.

Vendi është në prag të një gremine, është një katastrofë totale përsa i përket shtetit ligjor dhe demokracisë dhe është në prag të një gremine të paimagjinueshme në këto 27 vite.Kjo është një këmbanë alarmi për çdo shqiptar të ndershëm.

Ndaj Partia Demokratike po përgatit një plan politik dhe ligjor për të nisur sëbashku me të gjithë shqiptarët e ndershëm, pa dallime politike, një luftë e cila mund dhe duhet të ketë vetëm një përfundim: Mposhtjen e krimit të organizuar. Dhe për këtë duhet patjetër të mposhten mjeshtërisht dhe ustallarët e tyre politikë.

T’i kërkosh Edi Ramës të luftojë krimin e organizuar, do të thotë t’i kërkosh të luftojë vetveten. Mendoj se kjo është e tepërt. Ndaj detyra jonë është të bëhemi së bashku në një front të gjerë opozitar dhe në një aleancë të vlerave me të gjithë qytetarët shqiptarë, e ardhmja e të cilëve, e ardhmja e fëmijëve të të cilëve cenohet rëndë nga krimi i organizuar me pushtet. Dhe t’i japim vendit zgjidhjen e vetme të kësaj gjendje, që është largimi i kartelit politiko-kriminal më në krye kryeministrin e votave të blera, të maxhorancës fiktive dhe të parlamentit ilegjitim.

Ju faleminderit!

Më shumë

Artikuj të ngjashëm