Politike

Voltana Ademi i uron mirëseardhjen dhe i lutet Ramës për financimin e projekteve, ai i përgjigjet shkurt: “Bëhu serioze”

Mesa duket ka zyrtarë demokratë që e kanë marrë seriozish takimin e 18 Majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, dhe përfoljet për një bashkëqeverisje pas 25 Qershorit, por kryeministri Rama ia ka prerë shpresat ëndërrimtarëve të tillë pikërisht në ditën, kur njëra prej tyre besoi se Kryeministri i Shqipërisë ndoshta ka ndryshuar.

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi duket se është impresionuar sëtepërmi për piknikun informal qeveritar të kryeministrit Rama me kabinetin e ri qeveritar në Shkodër, dhe menjëherë pa u menduar shumë për përfaqësimin e saj politik, ka qenë e para qytetare e Shkodrës që i është drejtuar Ramës me fjalë marramendase mirëseardhje dhe lutjeje në formën e favorit.

Në faqjen zyrtare të Voltana Ademit është postuar një status ku ajo dhe Bashkia Shkodër i drejtoheshin Edi Ramës.

Ja statusi i Ademit:

“Bashkia Shkodër dhe Kryetarja Znj. Voltana Ademi përshëndesin organizimin e mbledhjes së radhës së qeverisë së re shqiptare në territorin e Bashkisë Shkodër: suksese në ushtrimin e mandatit tuaj në funksion e shërbim të qytetarëve!”.

Kryebashkiakja e Shkodrës dhe këshilltarët e saj i janë drejtuar Ramës në formën e përulësisë për ti financuar disa projekte për qytetin verior, a thua se Edi Rama do ti jepte fondet nga paratë e xhepit dhe jo nga fondet e buxhetit të shtetit.

Konkretisht, Ademi i shkruan kryeministrit Rama:

“Me këtë rast, dëshirojmë të sjellim në vëmendjen dhe prioritetet e kësaj qeverie disa nga projektet më madhore të Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV), hartuar më pjesëmarrjen e gjerë të komunitetit të Shkodrës.

  • Rivitalizimi i Hyrjes së Shkodrës (perimetri Bërdicë-Shkodër) Përmirësimi mobiliteti dhe aksesit ndërkufitar (Aksi Rrugor Shirokë- Zogaj përfshi pikën doganore); Mbyllja e unazës dhe zhvillimi i turizimit të integruar malor (Kompletimi i Unazës Shkodër-Shalë-Theth-Bogë-Koplik); By-Pass Lindor i Qytetit Shkodër; Muzeu i artit pamor “Lin Delija”; Rikualifikim i i ballinës Ujore buzë Liqenit të Shkodrës;  Urbanizimi i Plazhit të Velipojës dhe zonave informale Mark Lula, Kiras, Rrethina; Qendra e Trajtimit të Ujërave të Zeza Shkodër.

Bashkia dhe Kryetarja Ademi urojnë vërtetë që qeveria e re ta ketë seriozisht dhe gjithnjë në prioritetet e saj, ashtu si në këtë mbledhje të parë, territorin e Bashkisë Shkodër.

Presim që ky takim i qeverisë të ushqejë një tryezë dialogu mes pushtetit vendor dhe qëndror për materializimin e projekteve të propozuara për Shkodrën, duke i garantuar nga ana tjetër, bashkëpunim dhe mirëkuptim të ndersjelltë …”.

Gjithashtu, një qytetar i shkruan Ramës duke i kujtuar “lutjen” e Voltana Ademit për fonde, Kryeministri i Shqipërisë as do ta kishte vënë ujin në zjarr.

Por mesa duket për Ramën ka më shumë vlerë komenti i një qytetari shkodran të cilit i është përgjigjur edhe për llogari të Voltanës:

“Mirë Landi, këtu jemi ende po punojme me planet e qeverisë së re! Më vjen mirë që Voltana ma uroi mirëseardhjen, po do më vinte edhe më mirë po të më prezantonte ndonjë projekt serioz për Shkodrën, se listat me dëshira i bëjnë kalamajtë kur presin Babagjyshin e Vitit të Ri”.

Rama ka totalisht të drejtë në pacipësinë e tij si kryeministër që të përgjigjet në këtë mënyrë, por duke parë nënshtrimin pa kushte të Kryetares së Bashkisë së Shkodrës, për një herë të vetme mund edhe të thuhet se në këtë rast nuk e ka krejt keq. Voltana, bëhu serioze…

Më shumë

Artikuj të ngjashëm