Lajme

”Zhduket” pronari i ”A1 News” që shkarkoi gazetaren Alida Tota

”Zhduket” pronari i ”A1 News” që shkarkoi gazetaren Alida Tota për investigimin  e landfillit të plehrave në Tiranë ku u vra Ardit Gjoklaj.

Neritan Gjodeshi është pronari i ”A1 News” që bllokoi investigimin tronditës për kushtet çnjerëzore në landfillin e Sharrës, ku u vra Ardit Gjoklaj dhe shkarkoi nga puna drejtoreshën e Informacionit Alida Tota.

Në mënyrë skandaloze, gjykata shqiptare nuk ka arritur ta gjejë dot për ta thirrur në gjyq dhe si pretekst ka dhënë se nuk po arrin t’i gjejë adresën.

” S’e gjejmë dot!”, kjo ka qenë përgjigja zyrtare e gjykatës, teksa nuk është paraqitur asnjë përfaqësues ligjor i tij. Gjyqtare  e seancës ka qenë Anila Karanxha.

Gjodeshi, që është edhe pronar i bizneseve të ndërtimit e ka televizionin fiks në godinën e Ministrisë së Kulturës, në ish-Kinostudio dhe porta hyrëse mëse evidente.

Seanca e sotme gjyqësore për pushimin nga puna të drejtoreshës së Informacionit Alida Tota është shtyrë për administrimin e provave të reja. Sot gjykatësja dëgjoi intervistën-denoncim realizuar nga emisioni ”Publicus”, transmetuar nga emisioni ”Opinion”, pas bllokimit në ”Vizion Plus”

Tota, së bashku me përfaqësuesin e saj ligjor do ta vazhdojë betejën kundër censurës në mediat shqiptare.

Raporti i DASH-it per lirinë e medias, ka raportuar per rastin e pushimit nga puna pas investigimit, po kështu edhe Këshilli i Europës ka ngritur zërin për çfarë ka ndodhur në Shqipëri.

Në dokument shihet qartë raportimi pa asnjë përgjigje nga pala shqiptare për shkarkimin nga puna të Totës dhe censurimin e investigimit me ndërhyrjen direkte të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Sipas Raportit të  Këshillit  të  Europës:

Gazetarja shqiptare pushohet nga puna dhe dokumentari i saj censurohet pas një ndërhyrje direkte të kryetarit të Bashkisë së Tiranës

Alida Tota, një gazetare shqiptar me përvojë, e cila ka punuar që nga shkurti i vitit 2016 si redaktore e lajmeve në A1 News Channel në Tiranë, është shkarkuar nga puna e saj dhe filmimi i saj është censuruar pas një ndërhyrje direkte të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Në gusht 2016, ajo drejtoi një investigim mbi landfillin e mbeturinave në Tiranë pas vdekjes tragjike të një punëtori adoleshent, si pasojë e kushteve të tmerrshme të punës në mungesë të ndonjë kontrate pune, sigurimi ose masave të sigurisë.

Një kontratë, që ajo dyshonte të ishte e paligjshme, midis kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe operatorit të landfillit privat, e cila ishte gjithashtu e ekspozuar në filmim.

Disa orë pasi Alida Tota kontaktoi me kryetarin e Bashkisë së Tiranës për të marrë një version kontradiktor të rastit, ajo u thirr nga menaxheri i TV-së, i cili në të kaluarën ka punuar me kryebashkiakun.

Ai i bëri presion asaj që ta braktiste hetimin dhe të nesërmen gazetarja u shkarkua.

Një seancë dëgjimore u mbajt në parlamentin shqiptar për çështjen, por dështoi për shkak të pamundësisë së arritjes së kuorumit pasi anëtarët e koalicionit qeverisës u larguan. Seanca u zhvillua para përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare.

 

Show More

Related Articles