Lajme

Zjarrfikësit me automjete të amortizuara me kazma , fshesa e lopata…

Fiks Fare solli edhe këtë të mërkurë në vëmendje gjendjen e Shërbimit të Zjarrfikëseve në disa qytete të tjera.

Tabloja nuk ndryshon as në Malësinë e Madhe, Peshkopi , Bulqizë dhe Tepelenë.Edhe në këto qytete u dokumentua qartë se ky shërbim mezi mbahet në “këmbë”. Zjarrfikësit me automjete të amortizuara me kazma , fshesa e lopata nuk arritën dot të menaxhonin situatën. Edhe pse në shumë raste të ndihmuar nga forcat e ushtrisë dhe policisë, as ky bashkim nuk bëri fuqi. Të gjithë u gjunjëzuan para “ zjarrit”. Guri i vetëm ishte ndihma nga ajri, e cila nuk kushtoi pak. Plot 2500 euro ora.

Në Malësinë e Madhe zjarrfikësit, edhe pse kishte rënë zjarr në Vermosh, nuk kanë arritur të shkojnë me automjete në vendgjarje. Dy makinat e tyre të amortizuara, njëra e vitit 1951, nuk e ngjisnin dot majën e Vermoshit. 30 përqind e efektivëve janë ngjitur me makina të rastit dhe me mjete rrethanore si kazma e lopata kanë tentuar të fikin zjarrin.

“Automjeti s’mund të ngjitej. Rruga e keqe, por edhe amortizimi i mjeteve i ka detyruar punonjësit të ngjiten me makina të rastit. Zjarrfikësit po luftojnë me zjarrin me kazma dhe lopata, ndërkohe kemi kërkuar ndihmë nga ajri. Gjendja këtu është e mjerusheme , kemi dy automjete , një të vitit 1951 dhe tjetra është e modifikuar nga vetë ne, i kemi vendosur depozitë uji ” shprehet shefi i Shërbimit të Zjarrfikëses në Malësinë e Madhe, Farush Aliaj.

Shefi i Zjarrfikësve Dibër: Godina po bie dhe nevojat personale i bëjmë në natyrë

E njëjta situatë e mjerueshme paraqitet edhe në Dibër e Bulqizë. Shërbimi Zjarrfikëse është lënë në mëshirë të fatit me dy automjete të amortizuara dhe pa asnjë fond nga Bashkitë për të blerë pajisje të domosdoshme që shërbejnë në shuarjen e zjarrit.

Këto zona njihen për pyjet e shumta , të cilat në shumë raste u përfshinë nga zjarret e këtij viti. Shefi i Shërbimit të Zjarrfikëses së Bulqizës, Agron Poçi është shprehur se prej vitesh situata paraqitet e njëjtë, automjet i amortizuar ,mungesa në staf, në mjete dhe uniforma.

“Kjo është situata , godina po bie, nevojat personale i bëjmë në shkurret përreth. Një automjet kemi edhe ky është i amortizuar. Fonde nuk ka e ne nuk kemi as mjete e as uniforma” pohon shefi. Mungesën e investimeve nga ana e Bashkisë së Bulqizës në Shërbimin Zjarrfikës e konfirmon edhe drejtori i këtij shërbimi . “Nuk kemi marrë ndihmë nga Bashkia , kjo është gjendja. Kur kemi mundësi kemi ndërhyrë , kur s’kemi s’ndërhyjmë dot. Në këto dy vjet s’kemi pasur fare investime”, shprehet drejtori Bernard Kurti.

Shërbimi zjarrfikës në Dibër ka në dispozicion vetëm dy automjete të amortizuara, ndërkohë që mbulon një territor ku ka edhe zona të mbrojtura. Në shumë raste Inspektori i shërbimit, Beqir Dibra shprehet se nuk kanë mundur të ndërhynë. Një nga rastet është në Parkun e Lurës.

“Kemi vetëm dy automjete të viteve 70-të, por i kemi modifikuar duke i vënë pjesë vetë , ç’të bëjmë këto janë kushtet . Në shumë zona s’kemi mundur dot të hymë siç është rasti i Parkut të Lurës. Kur ai morri flakë kërkuam ndihmë nga Emergjencat Civile se ndryshe nuk do të mund t’ia dilnim vetë” shprehet Dibra .

Fatos Gjoka , drejtor i PMNZH në Bashkinë Dibër thotë se në këto dy vjet ky sektor nuk ka marrë nga pushteti vendor asnjë fond.

“Jemi munduar ta përballojmë situatën me këto kushte që kemi ,por në shumë zona nuk kemi ndërhyrë dot siç është rasti i Lurës. Kemi humbur qindra hektarë sidomos pisha të vjetra të cilat zor se rikuperohen më” shprehet Gjoka.

Edhe në Tepelenë situata paraqitet me probleme. Një zjarr i fuqishëm dogji rreth 12 hektarë nga kurora e gjelbër e qytetit. Në këtë sipërfaqe përfshiheshin pemë dhe ullishte. Shefi i Shërbimit të Zjarrfikëses së Tepelenës Veledin Abazi tha se situata nuk u përballua dot edhe pse u kërkua ndihmë nga Stacioni Zjarrfikës i Gjirokastrës, Përmetit si dhe Emergjencat Civile.

“Kemi vetëm një automjet në dispozicion , i cili është i viteve 70-të. Në rastin e kurorës së qytetit u dogjën gati 12 hektarë. Ne nuk mundëm dot ta përballonim ndaj dhe kërkuam ndihmë , megjithatë sirisht u dogj një sipërfaqe e madhe” u shpreh ai.

Fiks Fare e ngriti problemin 8 muaj më parë
Tetë muaj më parë Fiks Fare pasqyroi degradimin e Shërbimit Zjarrfikës në vend . Ashtu siç u parashikua , zjarret në të gjithë Shqipërinë e lanë në “stol” këtë shërbim me automjete të amortizura dhe ndërhyrja në të shumtën e rasteve u bë nga ajri me helikopterë.

Pas një vëzhgimi në Shkodër, Elbasan, Durrës, Krujë , Ballsh , Librazhd etj Zjarrfikësit pohuan se ndihma jepej me automjete të amortizuara të viteve 70-të , lopata ,kazma e fshesa . Për më shumë se dy dekada në këtë shërbim nuk është vënë dorë. Në Elbasan , Shkodër, Lezhë, Laç, Krujë, Ballsh etj shefat e Shërbimit të Zjarrfikëses pohuan se edhe pse Shërbimi Zjarrfikës prej dy vitesh i është lënë në dorë tashmë Bashkive, këto të fundit nuk kanë investuar asnjë qindarkë.

Përgjigjja zyrtare e Agjencisë Për Zbatimin e Reformës Territoriale ishte se ky shërbim pas konsultimesh të gjithë aktorëve që veprojnë në këtë fushë me zbatimin e reformës territoriale prej vitit 2015-së ju ngarkua pushtetit vendor.

Në shkresën zyrtare thuhej gjithashtu që ky transferim është gjykuar si zgjidhja më e drejtë për këtë shërbim. Por realiteti tregoi se ky shërbim u la në “mëshirë te fatit” pasi investimet nga bashkitë në këto dy vite ishin zero. Situata u testua gjatë periudhës së verës, kur e gjithë Shqipëria u përfshi nga flakët , shërbimi zjarrfikës në të shumtën e rasteve nuk arriti dot të menaxhojë situatën, madje në shumë zona as nuk mundi të futej. Edhe në rastet kur ndërhyri sërish me mungesa në automjete dhe infrastrukturë.

MPB , helikopter me qira 2500 euro/ora

Fiks Fare ju drejtua edhe Ministrisë se Brendshme lidhur me masat e marra dhe menaxhimin e situatës së vështirë në të cilën u gjend e gjithë Shqipëria. Në përgjigjen zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme në të gjithë Shqipërinë kanë rezultuar 900 vatra zjarri.

Më shumë se gjysma e tyre i është lënë në dorë Shërbimit Zjarrfikëse dhe pse theksohet se kapacitetet teknike kanë qenë jo të mjaftueshme. Të shumta kanë qenë ndërhyrjet me helikopterë, rreth 280 raste. Meqë ministria dhe Emergjencat Civile nuk disponojnë një të tillë, helikopterët janë marrë me qira. Shërbim i cili ka kushtuar 2500 euro/ora. Me një përllogaritje të vogël në 280 raste sikur minimalisht 1 orë për rast të jetë përdorur helikopteri, në total kapet shifra e 700.000 eurove.

Ndërkohë një helikopter për fikjen e zjarrit kushton minimumi rreth 935,000 dollar. Në përgjigjen zyrtare të ministrisë nuk saktësohet kostoja totale e demëve, pasi raporti pritet të dali nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkitë.

Zjarret e kësaj vere kanë prekur në mënyrë masive zonat e mbrojtura dhe të trashëgimisë kulturore si Ardenica, Lura, Syri i Kaltër , Apollonia etj . Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme pas kësaj situate është përgatitur akti normativ për rialokimin e fondeve nga buxheti i shtetit, për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret e kësaj vere.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm