Lajme

125 mijë të rinj shqiptarë “matin rrugët”, as punë, as shkollë

Sipas Bankës Botërore, aktualisht në vendin tonë janë rreth 125 mijë të rinj që nuk studiojnë e nuk punojnë e as nuk shprehin interes për të bërë një nga këto dy aktivitete.
Fenomeni që gjerësisht nëpër botë njihet me emrin “Neet”, në Shqipëri duket se është mjaft i përhapur, pasi të tillë janë 27% e të rinjve në vend të moshës 15 deri në 24 vjeç thotë Banka Botërore, pra pak më shumë se një në katër.

Shqipëria renditet krah atyre vendeve që e vuajnë më së shumti këtë problematikë. Siç duket qartë edhe nga grafiku, vetëm Kosova, me 29.5% ka një përqindje më të lartë të të rinjve që nuk kanë interes as për punën e as për shkollën.

Mesatarja e Ballkanit Perëndimor ndërkohë fiksohet në 23.5%, thotë Banka Botërore dhe Instituti i Vjenës. Të dhënat i referohen vitit 2016 dhe tregojnë se në krahasim me vitet 2013-2014, ka një rënie të lehtë të kësaj norme, pasi asokohe tejkaloi normën e 30%.

Krahasimi me vendet e tjera të Europës Qendrore, por edhe lindore, pra kryesisht vendeve që janë bërë pjesë e Bashkimit Europian pas viteve 2000, është i kotë, pasi diferenca është e ndjeshme, gjë që duket qartë edhe nga grafikët, shkruan “Scan”.

Femrat kanë tendencë për të vuajtur më shumë nga ky fenomen sesa meshkujt, dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Studimi tregon gjithashtu se, të rinjtë që “mbërthehen” nga ky fenomen për një kohë të gjatë, pas aksesit të tyre të parë në tregun e punës janë të predispozuar të kenë paga 20% më të ulta.

GazetaExpress

Show More

Related Articles