Qeveria ka alokuar një paketë ndihme për operatorët e transportit publik. Qëllimi është eliminimi i mundësisë së një rritje të mundshme të çmimit të biletave, si reflektim të çmimit të lartë të karburantit në treg.

Pavarësisht kësaj duket se operatorët nuk do të heqin dorë nga kërkesa për të rritur biletën. Dhe, pritet që të lindë natyrshëm pas përfundim të paketës së dytë, nëse nuk do të ketë një tjetër paketë ndihme pas saj.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Memaj, bëri me dije dje në një intervistë për mediat se do të kërkohet rritje çmimi. Pritet që kjo kërkesë të jetë për një dyfishim të vlerës së biletës.

“Në bazë të kërkesës që bëmë ne përpara disa kohësh, për të cilën bëmë edhe një konferencë ku deklaruam se nuk ishim në gjendje të përballonim më shërbimin, pra e studiuam tregun në detaje, për të pasur shërbim cilësor dhe për të përmirësuar flotën e autobusëve do të nevojitej një biletë në vlerën e 70 deri 80 lekëve”, tha ai.

Memaj nuk la pa përmendur edhe mungesën e subvencioneve nga shteti midis dy paketave, për muajt qershor e korrik, të cilat çuan ata drejt reduktimit të flotës urbane. Madje çuan edhe në kërcënime për mosnxjerrjen në qarkullim të biletave të pajtimit mujor. Për këtë arsye, Memaj insiston për krijimin e një politike afatgjatë për sektorin që përfaqëson.

“Nëse nga shteti nuk ka subvencione afatgjata, ne do ta kërkojmë rritjen e biletës.”- shprehet prerë Memaj. Ai shtoi se ka një disbalanacë midis çmimit të rritur të naftës dhe asaj të biletës urbane. Për biletën thotë se ka mbetur në vendnumëro që prej disa vitesh.

Dhënia e subvencioneve me periudha tre mujore i ka dhënë një frymëmarrje këtij sektori. Ky sektor, me reduktimin e lëvizjeve, duket se po var shpresat për mbijetesë në ndihmën e qeverisë. Paketa e dytë e ndihmës përfundon në muajin pasues, tetor. Në këte moment urbanët do të kthejnë sytë nga qeveria, ose nga udhëtarët. Subvencion ose rritje çmimi. Aq më tepër, kur parashikimet për uljen e çmimit të naftës duken të zymta.

Një gjë e tillë ka bërë disa linja urbane midis qyteteve të abuzojnë duke rritur në mënyrë të njëanshme e të paligjshme çmimin e biletës së udhëtarëve. Sikur kjo të mos mjaftonte, kushtet në shumicën dërrmuese të autobusëve (veçanërisht ato në rrethe) janë jashtë çdo standardi. Mjete në qarkullim janë të vjetra dhe kanë mungesë kushtesh.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.