Një 35 vjeçar është arrestuar në Pogradec pasi në makinë iu gjetën tre mina me telekomandë që dyshohet se do t’i shiste në qytetin e Korçës.

Me finalizimin e operacionit policor “Remote” u arrestua Pavlin Cupi 35 vjeç, banues në Rrilë të Lezhës.

Atij iu gjetën 3 mina me telekomandë të montuara me lëndë eksploziv plastik C4.

“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas do të tentonte të shiste mina me telekomandë, të cilat dyshohet se mund të përdoreshin në veprimtari kriminale në qytetin e Korçës, u organizuan shërbimet, u bë i mundur lokalizimi i personit dhe kapja e tij në vendin e quajtur “Enkelana”, në Pogradec.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë mjetit tip “Mercedes-Benz”, që ky shtetas drejtonte, në bagazh u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksploziv plastik C4,” njofton policia.

Policia bëri me dije se kjo është faza e dytë e operacionit “Remote”, ku në fazën e parë më 21 shkurt 2022, u arrestua 64 vjeçari Ilir Burbuqi ndërsa u sekuestruan gjithashtu dhe tre mina me telekomandë të lidhura me celularë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.