SPAK ka shpallur moskompetencë për dosjen e kokainës së kompanisë Alba Exotic Fruits, duke e deleguar atë në Prokurorinë e Durrësit. Kompanisë i janë kapur 6 herë drogë në Portin e Durrësit.

Në fund të korrikut Prokuroria e Posaçme ka marrë vendimin për t’ia kaluar Prokurorisë së Rrethit Durrës çështjen në ngarkim të Eduart Dautit dhe Bajron Gumenit, vëllait të tij. Sekuestro e kompanisë e konfirmuar nga Gjykata e Lartë, mbetet në fuqi ndërsa Prokuroria e Durrësit e ka regjistruar si çështje dhe në shtator do të nisë shqyrtimin e saj.
SPAK ka shpallur moskompetencë për këtë çështje për arsye sepse sipas Prokurorisë së Posaçme nuk ka prova për grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit kriminal. Tashmë i takon prokurorisë së Durrësit që të provojë akuzën për trafik ndërkombëtar kokaine.

Kujtojmë se 1 muaj më parë Gjykata e Posaçme i dha tre muaj afat SPAK që të hetojë trafikun e kokainës të kapur në kontenierët e kompanisë Alba Exotic Fruit që sollën banane në Shqipëri. Afati u përcaktua deri më 13 tetor 2022 pasi SPAK pretendoi se po priste letër-porosi nga Holanda dhe Ekuadori. Për këtë aktivitet kriminal janë në burg dy vëllezërit Eduart Dauti dhe Bajron Gumeni.

Gumeni e Dauti mohojnë përfshirjen në trafik droge dhe deklarojnë se merren me fruta. ‘Alba Exotic Fruit’ në harkun kohor 3 vite i janë kapur 6 sasi të ndryshme me kokainë.

Eduart Dauti është administrator dhe aksioner me 90% i kompanisë “Alba Exotic Fruit”. 10% të aksioneve i ka Barjon Gumeni, i arrestuar në 13 korrik 2021, pas kapjes së ngarkesës së radhës me kokainë në kontejnerin e kompanisë. Barjon Gumeni ka ndryshuar emrin dhe është vëllai i Eduart Dautit.

Në kontejnerët me banane që vinin nga Amerika Latine në Portin e Durrësit të porositura nga kompania “Alba Exotic Fruit” u gjetën sasi kokaine në gjashtë raste të ndryshme. I fundit ishte ai i 12 tetorit 2021 që u kapën 10 kilogramë kokainë.

Më herët, në 7 shtator u kapën 7.7 kg, në 13 korrik u sekuestruan 11 kg e 675 gramë kokainë, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera. Më 29 korrik 2021 kompanisë iu gjetën 7.25 kilogramë kokainë.

Kompania ‘Alba Exotic Fruit’ rezulton e përmendur edhe më parë në ‘historinë’ me trafik droge ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet./SYRI

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.