Aktori i njohur me origjinë shqiptare, Jim Belushi do të vizitojë Tiranën muajin e ardhshëm. Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi me sipërmarrës të huaj në Tiranë.

Ai tha se ky është moment i shkëlqyer për të vizituar kryeqytetin shqiptar.

“Tirana është këtë vit Kryeqyteti Europian i Rinisë. Është një moment i shkëlqyer për të ardhur në Tiranë. Kemi patur mbi 1 mijë aktivitete kulturore artistike. Ne sapo organizuam Festivalin e Dua Lipës në Tiranë, Rita Ora kishte koncertin e saj po ashtu. Muajin e ardhshëm do vijë edhe Jim Belushi në Shqipëri. Edhe ai i është shqiptar,” u shpreh Veliaj.

Veliaj tha gjithashtu se aktivitetet e shumta në kryeqytetin shqiptar kanë krijuar një energji pozitive që vihet re nga kushdo që po e viziton.

“Ne ndoshta nuk jemi vend aq i madh si disa të tjerë, por jemi origjinalë. Jemi një vend i bukur, me energji pozitive. Çdo qytet mund të ndryshojë, çdo shoqëri mund të ndryshojë, çdo vend mund të ndryshojë, por që qytetet të ndryshojnë duhet vendosmëri, disiplinë dhe një dozë e madhe kreativiteti”, u shpreh Veliaj.

Sipërmarrësit u mblodhën nga YPA Albania, një organizatë pjesë e të cilës janë mbi 28 mijë liderë që takohen çdo vit për t’u forcuar e për të përmirësuar botën e biznesit./atsh

 

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.