LajmeTe gjitha

Antikorrupsioni, Ministrja Gjonaj takohet me Presidentin e ANAC

Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj priti në një takim Presidentin e Autoritetit Kombëtar Italian të Antikorrupsionit, z. Raffaele Cantone.

Pak muaj pas takimit të zhvilluar në Itali, ky i sotmi vjen në kuadër të forcimit më tej të bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër korrupsionit, një prioritet i qeverisë shqiptare.

Me marrjen e kompetencës së re nga Ministria e Drejtësisë si Koordinatore e Strategjisë Antikorrupsion, Ministrja Gjonaj nënvizoi në këtë takim rëndësinë e zhvillimit të metodologjisë së mënyrës për të luftuar korrupsionin, me ngritjen e strukturave që do të merren me monitorimin, koordinimin e institucioneve si dhe me raportimin në institucionet ndërkombëtare lidhur me ecurinë e zbatimit  të masave për Planin dhe Strategjinë Kombëtare Antikorrupsion.

Ministrja e Drejtësisë vlerësoi angazhimin e treguar nga zoti Cantone dhe kontributin që shteti italian do të japë përmes bashkëpunimit në të ardhmen në terma konkret, me anë të shkëmbimit të eksperiencave si dhe njëkohësisht me forcimin e mekanizmave monitorues dhe raportues.

Nga ana e tij Presidenti i Autoritetit Kombëtar Italian të Antikorrupsionit, Raffaele Cantone vlerësoi hapat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare me miratimin e ligjeve sa i përket luftës kundër korrupsionit.  Në takimin e përbashkët me ministren Gjonaj, zoti Cantone  diskutoi mbi mundësinë e bashkëpunimit sa i përket temës së indikatorëve, transparencës, me qëllim që  Shqipëria të strukturojë një politikë për parandalimin dhe luftën kundër  korrupsionit.

Ministrja Gjonaj dhe Presidenti i Autoritetit Kombëtar Italian të Antikorrupsionit dakordësuan nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes dy institucioneve për t’i bërë konkrete raportet e bashkëpunimit që dy vendet kanë nisur prej kohësh. Ndërkohë u ra dakord që ky bashkëpunim të fillojë menjëherë me dërgimin e një delegacioni të Ministrisë pranë Autoritetit për të marrë eksperiencat më të mira në këtë fushë.

Show More

Related Articles

%d bloggers like this: