Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi u shpreh sot në një deklaratë nga inceneratori i Fierit se, “qytetaret e Fierit e dinë mirë se, personin që dyshja Rama-Subashi autorizoi për firmosjen e çdo gjëje që kish të bënte me inceneratorin e Fierit, fillimisht e emëruan Drejtor të Përgjithshëm të Albpetrol, e pak muaj me pas e arrestuan”.
Por, shtoi ai, “qytetarët e Fierit u çuditën kur mësuan se miliona euro po paguhen për persona në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që inceneratori nuk funksionon”.
Baçi gjithashtu i drejtoi 5 pyetje SPAK-ut.
“Pse Rama-Balluku paguan 3 herë nga 627 milionë, lekë brenda datës 1 Gusht, për inceneratorin e Fierit? Ku është inceneratori i Fierit që duhej të ish dorëzuar me çelësa në dorë sipas kontratës së fshehtë?
Meqë Zoto dhe Gugallja janë me urdhër arresti ndërkombëtar, ku jua dërguan ato 2 milion euro brenda ditës?
Pse u ndërrua 3 herë, me shpejtësi e pa asnjë debat në keshillin bashkiak, vendi i ndërtimit të inceneratorit? A u mor mendimi i komunitetit, gjë që është e detyrueshme ligjërisht?
A po hetohet për falsifikimin e procesit dhe dokumentacionit?
Çfarë bëhet me mbeturinat, që janë depozituar deri tani pranë inceneratorit? A do të digjen këto pas disa vitesh në incenerator? Apo do të inkapsulohen aty? Po me mbetjet shumëvjeçare te fusha e vjetër e grumbullimit, që premtuan se do të digjen? Pse i mbuluan me dhe’ pasi dështuan t’i djegin në vend me tentativën e vitit të shkuar?”, u shpreh Baçi./ATSH