Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku informoi sot lidhur me programin për subvencionimin me 70 % të shumës për çdo familje që do të instalojë njësi diellore për ngrohjen e ujit.

Në një deklaratë për shtyp, Balluku detajoi procesin dhe hapat që do të ndiqen për programin.

“Përveç të gjitha masave të tjera që kemi marrë për kursimin e energjisë dhe për të përballuar një situatë energjetike emergjence që e kemi shpallur duke nisur nga fillimi i këtij viti, ne kemi vendosur të ndërmarrim një sërë nismash të tjera që sot janë më të nevojshme se kurrë. Kemi diskutuar me të gjithë ekspertët dhe sipas të gjitha analizave dhe të dhënave na rezulton se 20 % e konsumit mujor në faturën e çdo abonenti familjar i përket konsumit që vjen nga ngrohja e ujit”, tha ajo.

Për këtë arsye, Balluku u shpreh se qeveria po ndërmerr një hap të parë që do të ndihmojë qytetarët edhe për të ulur konsumin.

“Për të nisur këtë proces të ri ne kemi vendosur të kalojmë përmes disa fazave për të krijuar transparencë dhe për të qenë të drejtë me të gjithë, si me ofruesit e paneleve diellore, edhe me aplikuesit. Ky është vetëm një hap i parë i këtij programi që nis me 2 mijë familje, por nga ana tjetër ky është vetëm hapi i parë për këtë fundvit, bazuar në ecurinë e programit”, shtoi ajo.

Balluku u shpreh se synohet të arrihet në një target mbi 20 mijë abonentë familjarë që do të pajisen me panele diellore për ngrohjen e ujit.

“Qeveria do të subvencionojë me 70 % çdo familje. Ky proces do të udhëhiqet nga Agjencia e Eficiencës Energjetike, një agjenci e re që është ngritur vitet e fundit, e cila duhet të zbatojë të gjitha politikat e reja në fushën energjetike nga diversifikimi i burimeve të energjisë. Kjo agjenci që ka hedhur hapat e parë edhe në edukimin e publikut dhe me programe pilot për prodhimin e energjisë në rrugët e Tiranës apo në shkolla. Sot bëjmë publik një program që në të ardhmen do të luajë një rol të rëndësishëm për sa i përket gjenerimit të prodhimit të energjisë nga familjarët dhe me më pak emetime”, tha ajo.

Balluku informoi se në datën 1 tetor është çelur gara mes subjekteve të interesuara për të ofruar panelet e prodhimit të energjisë diellore për ngrohjen e ujit dhe instalimin e tyre.

“Gara do të jetë e hapur nga data 1 deri në 18 tetor dhe aplikimi bëhet online. Do të listohet një grup i subjekteve që përmbushin kushtet teknike dhe kushtet financiare, se sa është tavani i cili duhet të jetë kosto e çdo njësie që do të instalohet në godinat e familjarëve. Pasi të përfundojmë fazën e parë, në 1 nëntor Agjencia do të ketë një listë të konsoliduar të subjekteve që ofrojnë shërbimin”, tha ajo.

Ndërkohë Balluku sqaroi se duke nisur nga 1 nëntori qytetarët do të aplikojnë në program.

“Kjo fazë e dytë konsiston në kërkesën e qytetarit për t’u bërë pjesë e projektit. Qeveria mbulon 70 % të kostos së produktit. Qytetari do të zgjedhë një nga subjektet nga listat dhe do të kryejë vetëm pagesën prej 30 %. Pasi të futet në punë kjo njësi gjeneruese, subjekti që ka lidhur kontratën me qytetarin do të kompensohet nga Agjencia me 70 % të vlerës. Qytetari do të jetë i qetë dhe nuk do të ketë asnjë detyrim”, tha ajo.

Balluku shprehu bindjen se 2 mijë njësitë e para gjeneruese do të ezaurohen brenda vitit 2022, ndërsa theksoi se në janar 2023 do të hapet një fazë tjetër e programit.

“Synimi ynë është të arrijmë 10 mijë njësi gjeneruese deri në 31 mars. Ne do të verifikojmë që njësia është në gjenerim. Kur subjekti të dorëzojë dosjen, verifikimi do të bëhet brenda 5 ditëve. I kemi menduar si duhet të gjitha hallkat. I gjithë procesi do të jetë transparent. Po ashtu qytetari do të shikojë numrin që i përket në renditjen e aplikimeve. Synimi ynë është të mbështesim qytetarët në këtë moment krize”, tha ajo./ATSH

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *