Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me banorët e Shijakut.
Gjatë këtij takimi, Berisha u shpreh se Shijaku dhe mbarë Shqipëria, përjetojnë një periudhë krize, e cila sipas tij, shprehet me një braktisje të pashembullt të vendit.
“Kjo braktisje në të vërtetë është shumë më e dhimbshme, e hidhur, se sa ajo që ndodhi në vitin 1991. Është shumë më e dhimbshme dhe e hidhur, sepse në vitin 1991, ne jemi dëshmitarë, ne vërtet fituam lirinë, por ishim nën tiraninë e tmerrshme të mjerimit. Qytetarët shqiptarë në vitin 1991, ishin qytetarët e tretë më të varfër të planetit. Vinin pas qytetarëve të Ugandës dhe Angolës. Kështu që ai largim masiv nga Shqipëria i vitit 1991, lidhet me dhimbjet e mëdha që krijonte tirania e mjerimit, pavarësisht se liria u fitua, nga diktatura dolëm, por ajo që vazhdoi ishte mjerimi i thellë në të cilën na kishte zhytur diktatura”, tha ai në fjalën e tij drejtuar qytetarëve.
Berisha u shpreh se një politikë shpresëvrasëse arriti të godasë, vrasë shpresën nga muaji në muaj, viti në vit, të krijojë tek të rinjtë, por jo vetëm ata, bindjen që Shqipëria nuk bëhet dot nga shqiptarët.
“Nga viti 2014 deri në vitin 2021, nga Shijaku, Durrësi, Tirana dhe mbarë Shqipëria u larguan 26% e popullatës, më shumë se 744 mijë qytetarë, veç në BE, pa llogaritur, këtu, ata që ikën në Kanada, SHBA apo vende jashtë hapësirës evropiane”, tha ai.
Sipas tij, nga viti 2014, rrogat dhe pensionet, jo vetëm që nuk u rritën, por ato për shkak të dyfishimit të çmimeve të produkteve bazë, kanë pësuar një rënie të paktën 20-30 %.
Kjo, vuri në dukje ai, edhe në kushtet kur, nga viti 2014 deri në vitin 2021, qeveria ka marrë borxh 500 miliardë lekë./ATSH