Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Shijakut, Berisha u shpreh se Kryeministri Rama fitoi mandatin e tretë duke i bërë presion si në kohën e komunizmit qytetarëve për të marrë votat, por paralajmëroi se nuk do mund frenojë lëvizjet popullore.

“Edi Rama duhet të rrëzohet me kryengritje paqësore. Me votë nuk ikën. Duhet të marrë një mesazh që ne kemi qëllim absolut votën e lirë. Ai që do guxojë të prekë votën, do prekë të zezën e vet. Nuk do mundet kurrë ta prekë më atë. Nëse ne që jemi këtu me datë 27 prill të vitit 2021, do kishim mbushur rrugë dhe sheshe për votën që grabiti, Edi Rama nuk do ishte kurrë sot në pushtet. Ka plot njerëz që thonë që me këta duhet të dialogojmë. Po ja e votojnë apo gjëra të tjera. Ne duhet ta kemi shumë të qartë se një pjesë e madhe e votojnë nga frika. Kur t’u nxjerrim frikën njerëzve ju garantoj se mbështetja e tij nuk do jetë as ajo që ka pasur Partia e Punës së Shqipërisë. Duhet të organizojmë një lëvizje të fuqishme për të vrarë frikën në çdo qoshe të këtij vendi. Të përballemi për votën e lirë. Nuk ka diktaturë që mund t’i rezistojë një lëvizje të fuqishme popullore. Nëse ne nuk ecim drejt saj dhe nuk vendosim, nuk përmbushim detyrimet as ndaj vetes dhe as ndaj fëmijëve tanë. Shqipëria do të zbrazet çdo ditë e më shumë”, tha Berisha.

BORXHET

Në vijim të bashkëbisedimit me qytetarët, ish-Kryeministri akuzoi Kryeministrin Edi Rama se që nga viti 2014 ka marrë 500 miliardë lekë, por ato i ka keqmenaxhuar dhe se sipas tij nuk i ka përdorur për rritjen e pagave e pensioneve.

“Po ju jap një shifër: nga viti 2014 deri në vitin 2021, Edi Rama ka marrë borxh 500 miliardë lekë. Ka pasur një rritje nga ekonomia, 400 miliardë. Ju garantoj ju se në këto vite me 900 miliardë lekë, rrogat dhe pensionet e shqiptarëve, pa asnjë problem, mund të ishin trefishuar. Ne sot mund të kishim një rrogë mesatare jo 400 euro, por 800-1000 euro. Ku e bazoj unë këtë. Nga viti 2005-2013, rrogat u rritën mbi dyfish, pensionet u dyfishuan. Nga ana tjetër, ju jeni dëshmitarë se u ndërtuan rrugë, tunele, superstrada më shumë se në të gjithë rajonin, thotë Bashkimi Europian, ose mbi 11 mijë kilometra. Në 4 vite, Agim Hoxha në komunën e tij, asfaltoi dhe ndërtoi 49 km rrugë. Në një kohë kur, para 3 muajsh kryetari i qarkut të Korçës i raportonte Edi Ramës se në këtë qark gjatë qeverisjes së tij 8 vjeçare, ishin asfaltuar, rindërtuar 51 km rrugë. Kjo është e vërteta”, tha Berisha.

Ndërkohë, ndodh e kundërta sa i përket rritjes së çmimeve. Ai tha se në Shqipëri çmimet e ushqimeve janë 10% më të larta se në BE. Ndërkohë, shtoi se sa i përket ndërtimeve pa leje Berisha tha se qeveria po amniston oligarkët.

“Përpiqen të lajnë duart me këtë xhungël me ndërtimet në Tiranë, sikur nuk ka ligje dhe më pas i legalizojnë. Ato janë shtesa të gjitha të partisë se demokratët nuk shkelin ligjin. Ata me ligj janë të ndaluar, por do bëj një vendim të qeverisë që t’i legalizojë. Pse ikin qytetarët? Ikin në dëshpërim se varfëria po troket gjithnjë e më shumë në dyert e shqiptarëve. Çmimet janë rritur me 30-40% dhe në raste të caktuara me 100%. Sot ushqimet në Shqipëri janë 10 % më të larta se në Bashkimin Evropian, ndërkohë që në raport të ardhurat janë 5 deri në 6 herë më të ulëta”, tha Berisha./panorama

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.