OpinionTeknologji

Bota po përmirësohet

Nga Bill Gates 

Leximi i lajmeve në ditët tona nuk të lë të ndihesh optimist. Uragane në dy Amerikat. Vrasje masive të tmerrshme. Tension global për armët bërthamore, kriza në Mianmar, luftra civile të përgjakshme në Siri e Jemen. Të thyhet zemra për çdo person të prekur nga këto tragjedi. Edhe për ata si ne që kemi fatin të mos jemi të prekur direkt mund të duket se bota po shkatërrohet.

Por pavarësisht këtyre ngjarjeve – sado të tmerrshme që mund të jenë – ka një trend më të madh, pozitiv. Në tërësi, bota po bëhet më e mirë.

Kjo nuk është ndonjë pikëpamje optimiste naive; bazohet në fakte. Shihni numrin e fëmijëve që vdesin para moshës pesë vjeç. Që më 1990, shifra është përgjysmuar. Kjo do të thotë se 122 milionë fëmijë janë shpëtuar në një çerek shekulli dhe shumë familjeve iu është kursyer dhimbja e humbjes së një fëmije.

Dhe kjo është vetëm një nga masat matëse. Më 1990, më shumë se një e treta e popullsisë së globit jetonte në varfëri ekstreme, sot është vetëm një e dhjeta. Një shekull më parë, homoseksualizmi ishte i ligjshëm vetëm në 20 vende, sot është në mbi 100. Gratë po fitojnë pushtet politik dhe tani përbëjnë mbi një të pestën e anëtarëve të parlamenteve kombëtare – dhe bota më në fund ka nisur të dëgjojë kur femrat flasin për sulme seksuale. Më tepër se 90% e gjithë fëmijëve të botës ndjek shkollën fillore. Në SHBA, janë shumë më të vogla shanset që të vdesësh në punë apo në makinë krahasuar me gjyshërit. E kështu me radhë.

Nuk po përpiqem të zvogëloj punën që mbetet. Të jesh optimist nuk do të thotë se injoron tragjeditë dhe padrejtësitë. Do të thotë se je i frymëzuar të kërkosh njerëz që arrijnë progres në ato fronte dhe të ndihmosh për ta zgjeruar progresin. Nëse të trondit ideja e miliona fëmijëve që vdesin, ti bën pyetjen: Kush është i zoti në shpëtimin e fëmijëve dhe si mund t’i ndihmojmë për të bërë më tepër? (Në thelb kjo është arsyeja pse unë dhe Melinda krijuam fondacionin tonë).

Atëherë, pse duket sikur bota është në rënie? Mendoj se është pjesërisht natyra e mbulimit të lajmeve. Lajmet e këqija mbërrijnë si dramë, ndërsa lajmet e mira shpesh shihen si pa vlerë. Videoja e një ndërtese në flakë shihet shumë herë, por jo shum njerëz do të klikonin mbi titullin “Më pak ndërtesa të djegura gjatë këtij viti”. Është natyra e njeriut të përqendrohet te rreziku: evocioni na bëri të shqetësohemi për kafshët që duan të na hanë.

Ka edhe një hendek në rritje midis gjërave të këqija që ende ndodhin dhe tolerancës sonë për këto gjëra. Gjatë shekujve, dhuna ka rënë dramatikisht, ashtu si dhe gatishmëria jonë për ta pranuar atë. Por për shkak se përmirësimet nuk ecin me ritmin që ne shpresojmë, na duket sikur gjërat po përkeqësohen.

Në një farë mase, është gjë e mirë që lajmet e këaqija tërheqin vëmendjen. Nëse dëshiron ta përmirësosh botën, të duhet diçka që të zemëron. Por duhet të jetë e balancuar nga gjërat pozitive. Kur sheh që ndodhin gjëra të mira, e kanalizon energjinë për të arritur edhe më tepër progres.

Kjo është ajo çka shpresoj nga ky numër i revistës TIME. U kam kërkuar disa prej njerëzve që respektoj më tepër që të shkruajnë se çfarë i bën optimistë. Do të mësoni fakte befasues për gjendjen e botës dhe do të takoni heronj që shpëtojnë jetë çdo ditë. Është një kurs intensiv rreth si e pse po përmirësohet bota. Shpresoj që të frymëzoheni për ta bërë edhe më të mirë.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

%d bloggers like this: