Togat e zeza të Gjykatës Penale të Tiranës kanë dënuar me burgim të përjetshëm Përparim Ademin, autorin e vrasjes së motrave Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi, dy vite më parë në Astir.
Gjykata konfirmoi pretencën e prokurorisë, e cila kërkoi burgim të përjetshëm ndaj të pandehurit për akuzën për shkak të marrëdhënieve familjare.
Ademi akuzohet se vrau dy motrat, Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani ditën e fundit të vitit 2020 në zonën e Astirit në banesën e viktimave.
Nga hetimet ka rezultuar se 59-vjeçari nuk pranonte ndarjen nga dy motrat me të cilat kishte një lidhje jashtë martesore. Autori i krimit të dyfishtë ka pranuar se para më shumë se 20 vitesh ka nisur një marrëdhënie jashtëmartesore me Kristina Bardhin.
Më pas, ai ka thënë se është lidhur me motrën e saj, Zhaneta Metanin, me të cilën pretendon se ka edhe një fëmijë, por nuk e ka të regjistruar në Gjendjen Civile.
Përparimi ka thënë që krimi ndodhi për arsye xhelozie, sepse kishte dyshime që Zhaneta kishte një marrëdhënie me dikë tjetër.