Pallati i SPortit në Vlorë po degradon nga dita në ditë, pasi fasadat, muret por dhe tavani i tij janë duke u shkatërruar, duke u bërë të rrezikshme për jetën e sportistëve. Institucionet lokale thonë se rikonstruksioni i pallatit të sportit ka kosto të madhe, ndërsa degradimi i kësaj godine ka larguar qytetarët nga ndjekja e ndeshjeve sportive.
Pamjet tregojnë më qartë atë që po ndodh me Pallatin e Sportit në Vlorë, i cili duket se po shkon drejt shkatërrimit total.
Fasada e jashtme është amortizuar krejtësisht, ndërsa pjesa e tavanit brenda pallatit të sportit është duke rënë, aq sa përbën rrezik për sportistët e lojërave me dorë, të cilët stërviten dhe luajnë çdo ditë në këto ambiente.
Për rikonstruksionin e Pallatit të Sportit është premtuar disa herë nga qeveria dhe pushteti lokal, por fjalët i ka marrë era. Syri televizion kërkoi nga bashkia e vlorës dhe klubi shumësportësh në këtë qytet, një prononcim, por askush nuk pranoi të flasë. Jashtë kamerave institucionet lokale thonë se rikonstruksioni i pallatit të sportit kap një kosto prej 1 milionë euro, shifër e madhe kjo dhe e papërballueshme.
Ndërkohë, degradimi i pallatit të sportit, duket se ka larguar edhe tifozët. Qytetart e Vlorës shprehen se kanë frikë të futet në ambientet e brendshme të këtij pallati për të ndjekur ndeshje sportive.
Në mungesë të fondeve për rikonstruksion, kjo shtëpi e lojërave me dorë në Vlorë, duket se do të shkojë drejt shkatërrimit. /Gaz. G.Këllçiu. Red. J.Hoxhaj. Mont. T.Foto/ SYRI