Që prej fundit të muajit prill, leku është nënçmuar kundrejt dollarit amerikan, brenda parametrave normalë të tregtimit në tregun valutor.
Banka e Shqipërisë vlerëson se, leku ka vijuar të nënçmohet ndaj dollarit amerikan, me një ritëm më të përshpejtuar krahasuar me tremujorin e parë të vitit.
Monedha e gjelbër amerikane, forcoi pozitat në tregun e brendshëm valutor, në këmbim me lekun, duke reflektuar mbiçmimin e tij kundrejt euros në tregun ndërkombëtar.
Dollari amerikan u kuotua mesatarisht me 115.6 lekë në tre javët e para të muajit korrik, nga 111.6 lekë në muajin mars.
“Në tregun e brendshëm valutor, ky nivel është rreth 11.8% më i lartë se në muajin korrik të vitit të kaluar. Ndërsa në tregun ndërkombëtar, që nga fillimi i vitit 2022, dollari është mbiçmuar me më shumë se 10% kundrejt monedhave të tjera kryesore, duke iu afruar niveleve më të larta në 20 vitet e fundit”, theksoi BSH-ja.
Ekspertët evidentojnë se, dollari u forcua nxitur nga investitorët, të shqetësuar për perspektivën e një recesioni global, që filluan të investojnë në monedhën amerikane, konsideruar si aseti më i besueshëm në kohë të trazuara.
Ndërsa atraktiviteti i dollarit u lehtësua edhe nga politika agresive e Sistemit të Rezervës Federale të SHBA-së, e cila rrit normën bazë në luftën kundër inflacionit të fuqishëm. Kjo i bëri investimet amerikane më fitimprurëse, sepse ato tani premtojnë kthime më të larta.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *