Tre persona janë arrestuar ditën e sotme në Bulqizë, Dibër nën akuzën e shpërdarjes së drogave në doza, posedimin e armëve e sende të jashteligjshme.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Field” u arrestuan I. R., 22 vjeç, F. S., 19 vjeç dhe E. A., 20 vjeç.
Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 21 vjeç, banues në Bulqizë.
“Shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll 2 automjete me të cilat udhëtonin shtetasit e lartpërmendur. Në automjetin që drejtohej nga shtetasi F. S. është gjetur i fshehur një shkop gome si i Policisë, ndërsa pasagjerit në këtë mjet, shtetasit E. A., i janë gjetur të fshehura në trup doza me lënde narkotike canabis sativa.
Në vijim të operacionit është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit I. R., ku janë gjetur dhe sekuestruar rreth 2 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, rreth 150 gramë lëndë narkotike canabis sativa e ndarë në doza, 1 bimë e dyshuar narkotike e kultivuar në tokë dhe 170 kg duhan i ndarë në pako, i dyshuar i kontrabanduar. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F. S. është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë model 56.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas funksiononin si grup kriminal që merej me shpërndarjen e lëndëve narkotike, në zonën e Fushë-Bulqizës dhe në qytetin e Bulqizës,” thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.