Autoritetet britanike kanë vënë në pranga dy shqiptarë, të cilët u kapën teksa kujdeseshin për bimët e kanabisit me vlerë 52,000 paund në një banesë në Blackpool.
Sipas mediave britanike, Francesk Markaj dhe Arbri Dervishi, të dy nga 26 vjeç, janë detyruar të punonin në fermën e kanabisit, pasi trafikantët që i ndihmuan per te shkuar ne Angli, i kërcënuan se do t’i vrisnin.
Ata u gjetën në një banesë të braktisur në Central Drive në fillim të këtij viti dhe u arrestuan. Gjykata e Lartë në Preston këtë javë mësoi se burrat ishin futur kontrabandë në vend me një kamion dhe më pas u detyruan të punonin në fermë për të paguar një borxh ndaj një grupi të krimit të organizuar, i cili organizoi që ata të niseshin nga Belgjika.
Daniel Harman, që përfaqësonte Markajn, tha se niveli i shfrytëzimit ishte i tillë që nëse burrat do të vdisnin në banesën e pasigurt, bandës “nuk do t’i interesonte”. Dervishi shpreson të qëndrojë në vend tani që ai është liruar nga trafikantët dhe dëshiron të aplikojë për të qëndruar legalisht.
Ndersa avokati mbrojtjes i Dervishit, Tom Lord tha se klienti i tij ishte shfrytëzuar nga kriminelët që organizuan transportin e tij në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ashtu si shumë të rinj tani, veçanërisht nga Shqipëria, ai hyri në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme, por jo tërësisht me vullnetin e tij të lirë. Ai është një emigrant ekonomik, ai ishte fillimisht në Itali për tre vjet dhe nëpërmjet një kamioni nga Belgjika, hyri në Britani”, tha avokati i tij.
Në përfundim gjykata i dënoi të dy shqiptare me nga nëntë muaj burg.