Pavarësisht tragjedisë që ndodhi në plazhin e Potamit në Himarë dhe masave të shumta të Policisë kundër mjeteve lundruese, drejtuesit e skafeve ende qarkullojnë në zona të destinuara për qytetarët që bëjnë plazh.

Një rast i tillë u pikas gjatë ditës së djeshme nga Policia Kufitare e Sarandës, ku një 28- vjeçar lundronte mes pushuesve. Krahas bllokimit të mjetit, 28-vjeçarit nga Ksamili i janë vendosur dy gjoba për mos respektimin e ligjit.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve, përgjatë vijës bregdetare të Sarandës, në kuadër të masave të marra për sezonin turistik, kanë konstatuar në plazhin e Ksamilit, një mjet lundrues tip skaf duke ushtruar aktivitetin e tij brenda zonës së kufizuar për mjetet lundruese dhe menjëherë kanë bërë shoqërimin e tij, në Portin e Sarandës, për verifikime të mëtejshme. Në bazë të ligjit nr.43, të vitit 2020, drejtuesi i mjetit lundrues tip skaf, shtetasi K. M., 28 vjeç, banues në Ksamil, u ndëshkua me masë administrative 100.000 lekë të rinj për shkelje të nenit 24/1/ c, pasi nuk respektoi zonën e kufizuar për mjetet lundruese si dhe iu bë bllokimi i mjetit lundrues dhe u ndëshkua me masën tjetër administrative 10.000 lekë të rinj për shkelje të nenit 14/1/b, pasi gjatë kontrollit rezultoi pa dokumentacionin përkatës, në bord”, sqaron Policia e Vlorës.

E njëjta masë u vendos edhe një ditë më herë për një tjetër drejtuesi të mjeteve lundruese.

PRECEDENTI

Një vajzë 7-vjeçare humbi jetën në fillim të këtij muaji pasi u përplas nga një skaf i drejtuar nga një oficer policie. Helikat e mjetit lundrues dëmtuan rëndë vogëlushen Joniada Avdija, e cila po pushonte me prindërit e saj në plazhin e Potamit në Himarë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja shkaktoi indinjatë, duke sjellë edhe një protestë të madhe në Tiranë, ndërsa opozita kërkoi shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe ministres së Turizmit. Pas ngjarjes tragjike dhe disa rasteve të tjera me plagosje, shpesh të rënda, Policia e Shtetit ndërmori aksione të gjera në plazhet e vendit për të bllokuar mjete të tilla që lundrojnë pa dokumentacionin e nevojshëm dhe shpesh pronarët nuk janë pajisur me dokumentin përkatës për të lundruar.

Që prej incidentit tragjik të oficerit Arjan Tase, i cili lundroi me skaf në mes të pushuesve, dhjetëra gjoba dhe bllokime skafesh janë zhvilluar në të gjithë vijën bregdetare. Më 27 korrik, një fëmijë mbeti i plagosur në plazhin e Jonufrës, pasi drejtuesi i mjetit lundrues, një 40- vjeçar nga Tirana nuk respektoi kufizimin me bova detare dhe është futur në zonën në të cilën nuk lejohet lëvizja e mjeteve lundruese, ku si pasojë ka dëmtuar një 7-vjeçar që ishte duke notuar.

Ndërkohë, një çift nga Tirana mbeti i plagosur gjithashtu në bregdetin e Jugut, pas manovrave të rrezikshme të një gomoneje. Ngjarja ndodhi më 16 korrik, ndërsa dëshmitarët thanë se drejtuesi i mjetit humbi kontrollin, duke përplasur çiftin që ndodhej në breg. Pavarësisht masave të shumta të përditshme, duket se drejtuesit e këtyre mjeteve nuk janë sensibilizuar ende për të zbatuar rregullat dhe për pasojë, për të mos rrezikuar jetën e pushuesve në plazhet e vendit.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.