Një prej prokurorëve që hetonte krimin e organizuar në Guayaquil të Ekuadorit ka mbetur i vrarë nga dy të rinj që u arrestuan 24 orë pas krimit nga policia vendase.

Edgar Escobar, prokuror i njësisë së personave dhe garancive në Guayaquil u qëllua për vdekje ditën e hënë, pak metra larg zyrës së tij, ndërsa mediat vendase raportojnë se vrasja me pagesë ka pasur si qëllim mesazhin për autoritetet hetimore.

Të gjitha dyshimet çojnë tek tonelatat e kokainës që nisen nga qyteti-port i Guayaquilit, për t’u shpërndarë më pas kryesisht drejt Europës, ku edhe portet e Ballkanit kanë qenë shpeshherë zona transiti.

Vetëm në Durrës janë sekuestruar herë pas here sasi të konsiderueshme kokaine, mes pakove me banane që vinin nga Ekuadori, ndërsa linja është e shpërndarë edhe në Malin e Zi, Greqi, etj.

Prokurori Escobar, përgjatë këtij viti kishte ngritur akuza ndaj disa anëtarë të një rrjeti më mirë organizuar kriminal që siguronte dërgesat e karteleve të kokainës, ndërsa po përpilonte aktet hetimore, duke përbërë një kërcënim serioz për trafikantët.

Ndonëse porositësit e kësaj vrasjeje me pagesë mbeten të paidentifikuar, dyshimet bien mbi bosët e drogës që menaxhojnë linjat e grumbullimit dhe shpërndarjes, ku shqiptarët kanë një rol tepër të rëndësishëm.

Madje disa shqiptarë kanë mbetur të vrarë për pazaret e drogës, siç ishte rasti i Ergys Dashit, janarin e këtij viti, duke shtuar alarmin tek autoritetet vendase, të cilat madje në gusht të këtij viti vendosën të rikthenin vizat për shqiptarët që duan të shkojnë në Ekuador.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.