Sport

Flamurtari plotësuesi i “tekave” të Alves: në korrik braziliani i jep lamtumirën Vlorës dhe kthehet i lumtur në shtator

Gati dy muaj nga lamtumira, Danilo Alves prezantohet tek Flamurtari si blerje e re. Nëse do të kishte qenë një histori më normale nuk do të kishte asgjë të keqe, por braziliani që dha mesazhe zemre kur u largua, u rikthye pa u plotësuar madje dy muaj. Sigurisht që zgjedhja këtë herë, për tu rikthyer, është sepse 27 vjecari nuk gjeti sistemim më të mirë, në fund të fundit është vështirë të gjesh një klub të disponueshëm të të plotësojë kërkesat dhe “tekat” bashkë.

Vlonjatët vazhdojnë të jenë të varur nga braziliani, që duhet thënë se nuk është hera e parë që bën kryeneçin, kërkon të largohet, vë nën presion klubin, bën kërkesë të largohet dhe rikthehet kur nuk ka gjetur më mirë.

“Shumë falënderime për Flamurtarin, për këto dy vite e gjysmë. Shumë falënderime për tifozët dhe qytetin e mrekullueshëm të Vlorës. Faleminderit presidentit Idrizi për vlerësimin që ka pasur gjithmonë për mua dhe për familjen time, dhe për çdo gjë që ka bërë këto kohë. I uroj më të mirat Flamurtarit”, shkruante në faqen e tij zyrtare në instagram braziliani në korrik.

Numri 99 ka qenë i preferuari i Ilir Dajës që në kohën kur drejtonte Skënderbeun dhe tekniku tentoi ta merrte lojtarin në Korcë pa sukses, për shkak të vetos që vuri administratori Sinan Idrizi në atë kohë, ndaj dhe largimi i Danilo Alves që është trajtuar si rrallë të tjerë në Vlorë bëri cudi.

Rikthimi është njësoj i ndjerë, a thua se kishte munguar prej vitesh: “Jam shumë i lumtur që rikthehem në këtë klub. I lumtur që erdha në shtëpinë time të dytë. Shpresoj në një vit më të mirë se ato që kaluan dhe që ekipi të fitojë trofe” shkruan këtë herë Alves.

Sulmuesi nuk është se ka qenë ekspert i portave, në 65 ndeshje me vlonjatët ka shkuar në gol 10 herë, ndërsa ka dhënë edhe 8 asist: shifra jo entuziaste, por që braziliani i ka anshkaluar me lojëra prestigji, sakrificë e vullnet që e bënë menjëherë beniamin të tifozëve.

Loading…

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

%d bloggers like this: