Ai ishte një nga tre personat që vinin nga radhët e drejtuesve të Policisë që u akuzua si aktiv në trafikun ndërkombëtar të drogës me grupin e “Habilajve”

Kishte një mori akuzash për të, madje, në dosjen qindra faqesh të atij që u konsiderua grup kriminal dhe që për lidhjet me të u akuzua edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u shfaqen edhe disa përgjime me protagonist Sokol Boden. Ai u arrestua mbrëmjen e së enjtes në shtëpinë e tij në Berat, teksa qëndronte me nënën e tij dhe të vëllanë. U tha se kishte vetëm katër ditë që kishte hyrë në Shqipëri dhe më pas Policia ka shkuar dhe e ka arrestuar për ta sjellë në Tiranë.

Ditën e sotme, Bode ka dalë para Gjykatës së Posaçme ku është njohur me masën e sigurisë arrest me burg.

Bode është dënuar me 12 vite burg, prej të cilave do të kryejë 8 vite nën akuzën e bashkëpunimit me grupin e strukturuar kriminal. Edhe pse ishte pjesë e së njëjtës dosje me ish-ministrin dhe ish-shefin e tij, të cilëve iu vërtetua vetëm shpërdorimi i detyrës, për Boden, i cili u hetua dhe gjykua në mungesë iu faktua akuza e bashkëpunimit me Habilajt.

“Nga hetimet e kryera rezulton se pjesëmarrës të këtij grupi kriminal janë edhe shtetasit Sokol Bode, me detyrë shef i Stacionit të Policisë Dhërmi, i cili ka mbajtur lidhje duke iu ofruar ndihmë dhe mbështetje anëtarëve të këtij grupi kriminal me qëllim realizimin e trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë”, thuhet në dosje. Po ashtu, në të njëjtën pozitë të rënduar akuzash ishte edhe kolegu i tij, Gjergj Kohila, i cili për prokurorinë kishte një rol aktiv në grup, në kohën kur ishte shef i Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve, i cili thuhet se ka bashkëpunuar drejtpërdrejt me trafikantët.

ARRATISJET E SHEFAVE TË POLICISË

Prokuroria e Krimeve të Rënda i shpalli në kërkim tre ish-zyrtarët dhe aso kohe ishte e bindur se mos prangosja e zyrtarëve të lartë të Policisë së qarkut Vlorë, ishte dekonspiruar nga kolegët e tyre. Oficerët e Policisë Gjyqësore, kishin arritur të binin në gjurmët e ish-funksionarëve të Policisë dy ditë para se të lëshoheshin 3 urdhrat e ndalimit, ku për Sokol Boden Gjykata kishte vendosur më herët “Arrest në burg” në mungesë. Për këtë arsye, dyshimet se mund të ketë pasur rrjedhje të informacionit nga vetë strukturat policore, pasi të tre të kërkuarit ishin lokalizuar më herët dhe pritej vetëm arrestimi i tyre.

Edhe pse në sistemin TIMS, Jaeld Çela ishte larguar më 22 tetor 2017 nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit me një kompani fluturimi drejt shtetit turk, ai,- theksonte organi i akuzës – kishte hyrë në mënyrë të jashtëligjshme në vendin tonë. Burimet nga grupi hetimor konfirmuan se Çela kishte mundur të largohej përsëri jashtë territorit shqiptar mbrëmjen e 20 nëntorit duke i shpëtuar prangosjes. Të njëjtën mënyrë kamuflimi kishin ndjekur edhe dy drejtuesit e tjerë të Policisë Vlorë. Sokol Bode ishte larguar me automjet nëpërmjet pikës kufitare të Muriqanit më datë 29 gusht të po atij viti. Ndërkohë, Gjergj Kohila ishte regjistruar në sistemin TIMS më 11 nëntor dhe kishte dalë nga pika kufitare e Kakavijës. Emrat e tre personave nën hetim, ishin regjistruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth një vit më parë, pra në 2016-n ku ish-drejtori i qarkut Vlorë, Jaeld Çela, së bashku me dy vartësit e tij, ishin të dyshuar se kishin siguruar kushtet për paprekshmërinë e grupit kriminal të Habilajve.

PËRGJIMET

Në dosjen e dorëzuar në Gjykatë për grupin “Habilaj”, u renditën si provë e bashkëpunimit të anëtarëve të grupit me Policinë edhe disa përgjime telefonike. Mes tyre, ishte biseda e Florian Habilajt me ish-shefin e Policisë Kufitare në Dhërmi, Sokol Bode, i cili e telefonon vetë për ta takuar në lagjen “Çole” në Vlorë. Ndërsa janë zbardhur edhe disa biseda të përgjuara mes Armando Koçerrit, që u arrestua gjatë operacionit të Babicës, me motrën e tij, e cila e informon për aksionin e Policisë që po zhvillohej në fshat.

EPISODI IMPLIKUES

Episodi i datës 15.10.2017, ora 09:11, numri që mbaron me 777, që përdoret nga Florian Habilaj, është telefonuar nga numri që mbaron me 888, që i përket Sokol Bodes.

Bode: Alo

Habilaj: Po

Bode: Si je flori, mirë jeni?

Habilaj: Mirë, faleminderit

Bode: Sokol Bode të shqetëson

Habilaj: Po

Bode: Po vij për 10 minuta n’bazë

Habilaj: Ku të pres?

Bode: Poshtë

Habilaj: A do të vij te karburanti?

Bode: N’Çole, N’Çole

Habilaj: Hajt se po vij aty

22 prill 2022

Ish-shefi i Policisë së Dhërmiut, Sokol Bode, u dënua me 8 vjet heqje lirie për trafik narkotikësh. Sokol Bode u akuzua nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas nga SPAK për implikim në trafikun e narkotikëve të kryer nga organizata kriminale e drejtuar prej vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj.

I pandehurit Sokol Bode u dënua në fakt me 12 vjet heqje lirie, ku në aplikim të gjykimit të shkurtuar është vendosur dënimi përfundimtar me 8 vjet burg. Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane dhe u dënuan në qershor të 2019-ës. Ata u arrestuan nga policia Italiane teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Një proces paralel për ta filloi edhe në Shqipëri./Panorama

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.