LajmeTe gjitha

Historia e vrasësit Gentian Doda dhe gjyqtarët që u përpoqën ta ‘shpëtonin’

Gentian Doda, një person i dënuar me 20 vjet burg për vrasje të dyfishtë në 1997 -ën, sot gëzon lirinë.

Ai ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, Apeli i Tiranës e ndryshoi veprën nga vrasje me dashje, në plagosje të rëndë dhe Doda u la i lirë.

Vendimi që çoi në lirimin e tij u dha nga gjyqtari Shkëlqim Miri. Ky i fundit u ndalua mbrëmjen e së enjtes nga policia.

46 – vjeçari dyshohet se favorizoi të dënuarin në këmbim të parave. Gjatë kontrollit në banesë, gjyqtarit iu gjetën sasi të konsiderueshme monetare.

Por kush është Gentian Doda dhe cila është historia e tij?

Më 27 Tetor të 1997 -ës, Gentian Doda nga Burreli, vrau Gazmir Dedën dhe Asllan Gjokën.

Doda dhe Dedja kishin qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel dhe konflikti mes tyre kishte vijuar prej shumë vitesh, duke lënë pas shumë viktima.

Ditën e ngjarjes, ata ishin përplasur fillimisht verbalisht. Më pas Doda mori automatikun dhe qëlloi në drejtim të Dedës, duke e plagosur rëndë.

Nga plumbat mbeti i vdekur aksidentalisht edhe Asllan Gjoka.

Gazmir Dedja ndërroi jetë dy ditë pas ngjarjes, por jo përpara se t’u tregonte të afërmve se cili kishte qenë personi që e kishte qëlluar.

Dënimi i Gentian Dodës dhe monitorimi i procesit nga amerikanët

Doda u dënua me 20 vjet burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat me vendim të datës 26 Prill të vitit 2000.

Por ai arriti t’i shpëtonte drejtësisë shqiptare, duke u arratisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vetëm 15 vjet më vonë, në Korrik të 2012 -ës, Doda u ekstradua nga Los Angel drejt Tiranës.

Procesi gjyqësor tij ka qenë një nga gjyqet më të monitoruara nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë.

Për 4 vjet, çështja e Dodës kaloi nëpër 3 shkallë të gjyqësorit. Para rigjykimit të tij nga Gjykata e Burrelit, çështja e Dodës ishte kthyer për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Edhe pse procesi monitorohej në çdo hap, në atë kohë dy gjyqtarë të kësaj gjykate u dyshuan se mund të ishin angazhuar për të lehtësuar pozitën e të pandehurit.

Megjithatë, dyshimet e prokurorisë nuk u provuan dhe për këtë arsye dy gjykatësit nuk u morën nën hetim.

Dosja e tij kaloi edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi që gjykimi ndaj tij të zhvillohej sërish në Gjykatën e Shkallës së Parë të Matit.

Ai u nënshtrua procesit gjyqësor dhe në përfundim u dënua me 20 vjet burg./tvklan.al

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

%d bloggers like this: