‘Një person i qeshur dhe i lumtur, i cili erdhi në Mbretërinë e Bashkuar për një jetë më të mirë, humbi tragjikisht jetën pasi ra nga një urë…’. Kështu e nis shkrimin e saj media britanike Essex Live, teksa përcjell detaje nga seanca hetimore mbi vdekjen e 37-vjeçarit shqiptar Mirsad Selgjekaj.

Pikërisht në këtë seancë u zbulua se ai kishte pasur vështirësi në zgjatjen e afatit të vizës, në mënyrë që të qëndronte në Britani, ku kishte shkuar në vitin 2018.

Mirsadi u përshkrua si një person i lumtur dhe shumë miqësor, i cili kishte shumë miq dhe kishte jetuar mes Norwich dhe Peterborough.

Por më herët gjatë këtij viti, shëndeti i tij mendor nisi të përkeqësohej për shkak të shqetësimeve që kishte nëse do të mund të vazhdonte të qëndronte në këtë vend dhe nëse do të mund të zgjaste afatin e vizës së tij.

Një natë përpara vdekjes, Mirsadi ishte shoqëruar nga familja e tij në aeroportin e Stansted, në mënyrë që të shkonte për të takuar vëllain e tij në Itali, pavarësisht shqetësimit të të dashurve të tij për statusin e vizës, se mund të mos lejohej të futej në vend.

Por në këtë pikë, 37-vjeçari ishte bërë paranojak se njerëzit po e gënjenin dhe po flisnin pas krahëve të tij. Në fakt asnjëra prej këtyre gjërave nuk ishte e vërtetë.

Mbrëmjen e 22 Prillit, Mirsadi fluturoi drejt Italisë, por u ndalua në kufi dhe iu refuzua hyrja. Ai u kthye me avion në Britani, rreth orës 06:00 të mëngjesit. Me telefonin e fikur pasi i kishte rënë bateria, Mirsadi nuk kishte mënyrë për të kontaktuar familjen e tij, e cila më vonë dëgjoi në lajme se një person kishte rënë nga ura.

37-vjeçari u shpall i vdekur në vendngjarje. Autopsia doli në konkluzionin se ai kishte humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta që kishte marrë gjatë rënies. Hetimi mbi vdekjen e tij u mbajt në gjykatën e Essex një ditë më parë.

Në gjykatë u lexua një letër nga familja e shqiptarit në të cilën thuhej se në Shqipëri kishte pasur një jetë të lumtur dhe kishte punuar si shofer privat, se ishte shumë i lidhur me nënën dhe babain e tij dhe se kishte shkuar në Britani për të pasur një jetë më të mirë për veten.

‘Mirsadi aplikoi për vizën e tij zyrtare për të vijuar që të qëndronte në këtë shtet, por hasi vështirësi. Besohej se disa prej ndryshimeve për shkak të Brexit krijuan probleme. Ai u bë gjithnjë e më depresiv dhe jetonte në ankth’, thuhej mes të tjera në letrën e familjes.

‘Nuk do ta kishim besuar kurrë që Mirsadi mund t’i jepte fund jetës, nuk ishte pjesë e karakterit të tij’, theksoi familja.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.