Ky është momenti pak sekonda pas plagosjes i shqiptarit të quajtur Esko 30 vjeç, i cili u qëllua me armë nga policia greke në Athinë gjatë një aksioni të autoriteteve.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme kur policia greke ndërhyri në kampusin e konvikteve të vjetra të studentëve në Athinë, për të goditur një bandë kriminale që vepronte në fushën e shpërndarjes së drogës dhe të grabitjeve.
30-vjeçari u qëllua me armë në këmbë nga policia greke pasi sulmoi me kaçavidë një oficere të policisë gjatë aksionit. Ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Në këtë foto shihet shqiptari i shtrirë përtokë dhe i rrethuar nga forcat speciale pak sekonda pas plagosjes nga ana e punonjësve të policisë greke.
Sipas shtypit grek, sapo ai u përball me policët, i ofendoi dhe i kërcënoi dhe më pas goditi me kaçavidë një police duke e lënë të plagosur. Kjo e fundit u detyrua ta qëllonte me armë në këmbë për ta neutralizuar.
Nga hetimet e autoriteteve greke ka rezultuar se 30-vjeçari Esko ishte drejtuesi i bandës kriminale që shiste drogë dhe grabiste biznese dhe banesa.
Në 3 katet e fundit të konviktit të vjetër të studentëve në Athinë, jetonte Esko me partneren e tij dhe fëmijën e tyre të sapolindur, me vëllain e tij dhe anëtarë të tjerë të bandës kriminale. Ata banonin në dhoma të ndryshme të konviktit kundrejt tarifës prej 100 Euro, ku kishin të përfshira dritat, ujin dhe internetin. Të gjithë janë arrestuar.
Esko kërkohej nga policia greke edhe për rrëmbimin e djalit të një gazetari grek dhe grabitjen e këtij të fundit në vitin 2019. /tvklan.al