I gjithë fshati u ngrit në këmbë dhe u solidarizua për të gjetur trupin e pajetë të 14 vjeçarit që u mbyt më 10 gusht 2022 në lumin Seman.
I vogli dilte për peshk për të ndihmuar familjen, cila veç varfërisë që ishte ulur këmbëkryq në atë sofër, tragjeditë i trokisnin në derë herë pas here, tregojnë fqinjët.
10 vite më parë familja Saka kishte humbur një tjetër djalë, ndërsa nga koronavirusi kishin humbur kryefamiljarin.
Edhe shteti i kishte braktisur dëshmojnë ata.
”Në të gjithë fshatin Suk kjo është familja më e varfër. Kjo është familje shumë e ndershme por shumë fukarenj Dilte për të peshkuar për të ngrënë. Fukara. Edhe barkun s’e mbushte me bukë. Para 3 -4 vitesh i ndihmonte pak shteti por ia preu fare. Në të gjithë zonën e Myzeqesë kjo është familja më e varfër. Një javë më parë erdhi të punonte dhe në fermën time, dhe ne I jepnin pak lekë më shumë që ta ndihmonim. Dilte për të peshkuar për të ngrënë një copë bukë. Kanë nevojë për ndihmën e Shtetit” thotë bashkëfshatari.
Janë angazhuar të gjithë për të gjetur trupin e të voglit.
“Kemi qarë të gjithë. Kemi kërkuar tërë ditën të gjithë. Edhe djali im ka ecur me not mbi 1 km. Ndoshta trupi I tij është në atë gropën me pemë” tregon për gazetarët fshatari
Sot në ndihmë erdhën dhe forcat RENEA.
Trupi i pajetë i 14 vjeçarit u gjet sot rreth orës 10:45 minuta.