Ismael ‘El Mayo’ Zambada’ -Është një trafikant droge meksikan, i cili drejton Kartelin famëkeq të Sinaloas pas arrestimit të Joaquin ‘El Chapo’ Guzman, pasi më parë drejtonte në terren operacionin e trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Për kapjen e tij ofrohet një shpërblim prej 15 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara. Për dekada me radhë Zambada i ka shpëtuar drejtësisë meksikane dhe asaj amerikane, pasi është shpallur në kërkim që prej vitit 1998.

Trefishimi i shifrës që SHBA ofron për Zambada-n ndodhi në vitin 2021. Sipas mediave amerikane, ai mendohet se është në gjendje jo të mirë shëndetësore, dhe nuk lëviz më aq shpesh sa në vitet e rinisë, çka e bën më të vështirë për t’i ikur drejtësisë.

El Mayo mori drejtimin e Kartelit të Sinalos 6 vite më parë, pas arrestimit të El Chapos, por për dekada ka qenë krahu i tij i djathtë. Ai sot është narkotrafikanti më i kërkuar në SHBA, ndërsa në vend të dytë vjen një tjetër meksikan, El Mencho, bosi i Kartelit Nueva Generacion.

‘Kartelet meksikane prodhojnë lëndë narkotike në sasi industriale’, thotë Robert Bell, Agjent Special i DEA-s në Çikago për televizionin lokal ‘Abc7Chicago’. ‘Diferenca mes tij dhe El Chapos është se El Chapo ka qenë më i ri dhe më i lëvizshëm, ndërsa El Mayo ka qëndruar gjithmonë në prapaskenë të kartelit. Ndryshe nga figurat e tjera kyçe që janë arrestuar apo vrarë, ai vijon të jetë i lirë’, thotë Ed Farrell, ish-marshall amerikan në Çikago.

El Mayo mendohet se fshihet në Meksikë, por zyrtarët amerikanë shpresojnë që shpërblimi i majmë, të bëjë dikë nga shokët e tij ta tradhtojë.

Para se të niste trafikun e drogës, Zambada ishte fermer. Dalë-ngadalë ai shtoi prezencën e tij në tregun amerikan, duke u përqendruar kryesisht në Çikago, e më pas ‘biznesi’ i tij u përfshi në Kartelin e Guadalaharës, kartelin e parë të mirëfilltë meksikan të drogës, nën drejtimin e Miguel Ángel Félix Gallardo.

Pas arrestimit të El Chapos, ai ia besoi djemtë e tij El Mayos, me të cilët ky i fundit ndau biznesin 50 me 50. Por jeta e luksit e djemve të El Chapos, Ivan dhe Jesus Alfredo Guzman, të cilët janë sanksionuar si operativë të Kartelit të Sinaloas edhe nga Departamenti Amerikan i Thesarit, ka bërë që marrëdhënie e tyre të jetë e tensionuar. /A2

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.