Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha sot se projektligji për amnistinë fiskale dhe penale është ende në fazë konsultimi publik me grupet e interesit dhe partnerët ndërkombëtarë dhe se qëllimi i tij është legalizimi i të ardhurave të emigrantëve.
“Amnistia fiskale dhe penale është një proces që ka rifilluar në pranverë të këtij viti. Kemi punuar intensivisht me përmirësimin e draftit, i cili fillimisht daton në vitin 2020. Jemi ende në fazën e konsultimit. Kemi bërë disa konsultime publike me grupet e interesit dhe partnerët ndërkombëtare, duke marrë parasysh rekomandimet më të mira që ky ligj të arrijë qëllimin për të cilin po krijohet. Jemi duke punuar, jemi në proces të hartimit të akteve nënligjore me qëllim që të ketë qartësi në procedurat e zbatimit”, deklaroi Ibrahimaj gjatë konferencës së përmuajshme mbi zhvillimet në ekonomi.
Ibrahimaj shpjegoi se qëllimi i ligjit ka qenë i qartë që në fillim, legalizim i të ardhurave të emigrantëve.
“Në fund të vitit të kaluar qeveria shqiptare ndërmori një pyetësor të gjerë, i cili ju drejtua popullatës. Mbi 60% e popullatës ishin pro amnistisë fiskale dhe penale me qëllim legalizimin e të ardhurave të emigrantëve. Ligji shqiptar vepron brenda kufijve të Shqipërisë dhe nuk ka esktraterritorialitet. Dhe ky ligj do të aplikohet për qytetarët shqiptarë”, tha Ibrahimaj.
Sa i përket pyetjes nëse do të përfshihen në proces edhe ndërtimet pa leje, Ibrahimaj tha se nuk mund të ketë legalizim të ndërtimeve të paligjshme.
“Procesi për ligjin për amnistinë ka nisur shumë kohë më parë se sa të ndërmerreshin nismat e fundit ligjore”, tha ajo./ATSH