OpinionTe gjitha

Intervista e Ministrit grek të punëve të jashtme ka ngjallur vërtetë shqetësim

Intervista e Ministrit grek të punëve të jashtme zotit Niko Kotzias ka ngjallur vërtetë shqetësim. Ai deklaroi se qenka rënë dakord për marrëveshjen e detit me Shqipërinë dhe Greqia do të fusi Brenda gardhit të saj detar edhe 12 milje?! Por, dalja e Ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme zotit Ditmir Bushati në një intervistë tek Tv Klan, sqaroi situatën.
Bushati tha se, nuk është e vërtetë që ka një marrëveshje të përfunduar.
Ai pranoi se ka një dakortësi që problem i kufirit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë të zgjidhet, ose të futët në shinat e zgjidhjes, por shtoi se, do të jenë ekspertët e të dyja palëve që do ta thonë fjalën e fundit.
Ministri Bushati tha pak a shumë ndër të tjera tha se, që të quhet e pranuar dhe e kopsitur kjo marrëveshje, duhet të merren parasysh të gjitha kushtet si, Kodin Ndërkombëtar Detar, për të krijuar koncepte të qarta për: Ujërat e brendshme detare, Ujërat territoriale, Shelfi Kontinental, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë që e ka bërë nul marrëveshjen e parë Bakojanis-Basha&Berisha etj.
Ne e dimë mirë se si vepron Greqia, e cila kërkon ta bëjë fakt të kryer një marrëveshje e cila nuk është kopsitur, por është rënë dakord parimisht për ta zgjidhur. Siç duket ministri Kotzias hedh shashka që turbullojnë opinionin e ndjeshëm shqiptar dhe përgatit terrenin e një marrëveshje, e cila do të jetë po ajo e nënshkruar në vitin 2009, ku Greqia do ti gllabëronte Shqipërisë sipërfaqe detare të rëndësishme dhe në hundën e shqiptarëve, dhe këtë marrëveshje të vjetër (ata nuk heqin dorë nga synimet e tyre) kërkojnë ta mbulojnë me modalitete të reja.
Qëndrimi i Shqipërisë duhet të jetë i prerë për sa i përket tërësisë territoriale tokësore dhe detare me Greqinë, e cila ka treguar me prova që vetëm ka përfituar territore në kurriz të shqiptarëve. Le të bëjnë shantazhe sa të duan në lidhje me çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, zona ekskluzive që synon Greqia të rrëmbejë është e pasur me burime të rëndësishme hidrokarburesh.
Të mos harrojmë faktin se, pas marrëveshjes së vitit 2009 të nënshkruar nga Basha&Berisha dhe ministrja greke e jashtme zonja Dora Bakojanis, kjo e fundit nxitoi ta quante atë një fitore ndërkombëtare të Greqisë në fushën strategjike.
Zgjimi që i bëri çështjes atdhetari dhe koloneli në pension zoti Myslim Pashai nxori në skenë ato që ishin nënshkruar në prapaskenë, sa që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e hodhi poshtë atë me argumentin e cenimit dhe dëmtimit të interesave të Shqipërisë. Shqipëria nuk ka asnjë centimetër tokë apo det për ti falur oreksit të Greqisë, në të kundërt Greqia i ka shumë borxhe Shqipërisë në planin historik, mitologjik, heroik dhe religjiozik. Prandaj, kujdes nga petullat me mjaltë të Greqisë!
Më shumë

Artikuj të ngjashëm

%d bloggers like this: