Organizata joqeveritare “Krimet e Luftës në Gjakovë” më 16 gusht dorëzoi në Prokurorinë Speciale të Kosovës kallëzim penal për krime lufte ndaj tashmë nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq.

Shkëndije Hoda, përfaqësuese e kësaj organizate, tha se kanë mbledhur dëshmi civile për, siç tha ajo, krime që dyshohet se Deliq i ka kryer ndaj civilëve shqiptarë në luftën e fundit në Kosovë.

“Në fakt janë tri kallëzime penale të bashkëngjitura me disa dokumentacione faktike, një lloj ditari i operimit të brigadës”, tha Hoda.

Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, Bozhidar Deliq ishte komandant i Brigadës së 549 të ushtrisë jugosllave.

Hoda tha se kanë besim që organet e drejtësisë do të kryejnë punën në hetimin e këtyre krimeve, duke marrë për bazë dëshmitë që i ka ofruar kjo organizatë.

Sipas përfaqësuesve të organizatës që dorëzoi sot kallëzimin penal, civilë nga rrethi i qytetit të Gjakovës e kanë identifikuar Deliqin si person që “ka kryer krime lufte”.

Ndryshe, Bozhidar Deliq, fëmijërinë e hershme e ka kaluar në fshatin e tij të lindjes, Lugbunar të Gjakovës dhe më pas është zhvendosur në Beograd ku dhe përfundoi akademinë ushtarake.

Më 2 gusht, anëtarët e Kuvendit serb zgjodhën shtatë nënkryetarë, në mesin e të cilëve edhe Bozhidar Deliq nga koalicioni NADA (Shpresa).

Për zgjedhjen e tij në këtë post kishte reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ajo tha se Deliq ka qenë i përfshirë në luftën në Kosovë.

Osmani tha se nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Serbisë ishte “komandanti i një brigade ushtarësh që masakruan mijëra kosovarë”.

Radio Evropa e Lirë ka intervistuar banorët e dy fshatrave Tërrnje dhe Landovicë, ku dyshohet që janë kryer krime kundër popullsisë civile shqiptare nga brigada që udhëhiqte Deliq. Ata shprehën mllef dhe zemërim që deri më tani ai nuk është përballur me drejtësinë.

Ndërkaq, Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, që heton krimet e luftës, ka ngritur dy kallëzime penale kundër Bozhidar Deliq për ato që ata tha se ishin krime në Kosovë.

Deri më tani nuk ka nisur ndonjë proces penal ndaj tij në Serbi./REL

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.