LajmeTe gjitha

Kriza e pagave në universitete, Fuga replikon me Boçin

Kriza e pagave në universitete, Fuga replikon me Boçin: Kur do të heqë dorë opozita nga roli i komentatorit?!

Zoti Luçiano Boçi, koleg dhe mik i respektuar:

I pari: Lutem bëni ligjëvënësin dhe jo gjithmonë politikanin. Dua të them përse opozita nuk ka bërë një ligj alternativ dhe të shohim se çfarë propozon? Kur do të dilni nga pozita e thjesht kundërshtimit mbi atë që është, pa propozuar diçka alternative?

I dyti: Ju citoni nenin 109 e ku e di unë. Dhe kërkoni VKM për të. Unë kujtoj se opozita është kundër ligjit dhe jo që të bëjë kritika qeverisë se përse nuk zbaton ligjin. Pikërisht ai nen dhe ai ligj janë paradoksalë, inkoherentë, pa logjikë.

Ai nen që kërkoni të mbështetet me akte nënligjore është i poshtër dhe i pacipë.

Kur nxisni pedagogët të mos marrin pagat meqë vijnë nga regjistrimet etj., pra nga burime studentore, me këtë padashje i fryni populizmit. Mbani parasysh se tarifat sigurisht janë të larta. E gjithë politika ekonomike e arsimit të lartë është mizerabël. Por, sakohë ato lekë janë bërë pjesë e të ardhurave universitare, pagimi i honorareve, etj. të pedagogëve me to, nuk ka të bëjë me futjen e dorës në xhepin e ndokujt.

Pedagogët t’i marrin ato paga sepse janë djersa e tyre, kurse mosfunsionimi financiar i sektorit është tjetër gjë, sado i dënueshëm qoftë.

Tani ta marrim vesh, jeni për atë që ligji të implementohet sa më shpejt, apo jeni kritikë kundër ligjit? Nuk e kuptoni që VKM mbi atë ligj nuk bëhen dot sepse do ta hidhnin arsimin në gropë edhe më shumë sesa kaq.

I treti, lutem të kuptoni që ne nuk protestojmë se na janë vonuar pagat. Dihet se ato do t’i marrim. Ne protestojmë se me këtë që ndodhi ka rënë imazhi i shtetit dhe se jemi fyer nga mosrespektimi i kontratës, pra nga trajtimi si qen. Është çështje politike dhe e reputacionit jo thjesht punë lekësh. Ne nuk na mjafton të marrim pagat, por rasti tregoi se na kanë marrë dinjitetin. Këtë nuk e lejojmë kurrë.

Prandaj kuptojini drejt reagimet tona.

Ju lutem, ndjesë për opozitën ndaj opozitës, por e gjykoj të domosdoshme.

Me respekt për ju,

Artan Fuga

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

%d bloggers like this: