OpinionTe gjitha

Kushtuar Dr. Shkencave,publicistit HIMARIOT, Pavllo Gjidedes

Nga Pirro FOTIADHI JEHONA DHE OSHËTIMA E NJË PENE…QË DËGJOHET SË LARGU….!! In memoriam Kushtuar Dr. Shkencave,publicistit HIMARIOT, Pavllo Gjidedes Data e sotme përkon pikërisht me 5 vjetorin e ndarjes nga jeta të një personaliteti të shquar,emblemës së gazetarisë shqiptare,birit e bregdetasit, publicistit, shkrimtarit,eseistit,prozatorit, Dr.Pavllo Gjidede. Dr. Shkencave Pavllo Gjidede,lindi më 14 Maj 194o në Vuno të Himarës,në një familje Vunjotase,në oxhakun e barba Milo Gjidedes,figure e spikatur,mësuesit dhe priftit të fshatit në atë kohë si edhe Aleksandrës,nënës së tij gjermane nga fisi Averbah,gjyshi i të cilit,Zylber Averbah,ishte sekretar në konsullatën gjermane në Vlorë,në kohën e qeverisë së Ismail Qemalit. Mësimet e shkollës 7 vjecare i ndoqi në shkollën e Dhërmiut,ndërkohë që gjimnazin e kreu në qytetin e Gjirokastrës.Në vijimësi,studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Τiranës,në Fakultetin e Histori-Filologjise ku u diplomua për gjuhe ruse dhe gjuhë-letërsi shqipe. Pas studimeve universitare,Pavlloja nisi të punonte si mësues dhe pedagog i gjuhës ruse dhe letërsise shqipe në qytetin e Vlorës. Nuk janë të paktë, nxënësit e shumtë dhe kolegët e asaj periudhe kohore,që ruajnë të fiksuara ne kujtesën e tyre,mbresa të jashtëzakonshme prej figurës dhe kontributit të tij në qytetin e Vlorës. Packa se në gazetari Pavllo Gjidede nisi të debutonte në dekadën e viteve 60-të,si korrespondent i gazetës së përditshme «Zëri Popullit»,në vitin 1972,ai pozicionohet në redaksinë e gazetës në Τiranë, fillimisht si korrespondent për kryeqytetin, e në vijimësi si redaktor dhe përgjegjës i departamentit politik. Në këtë periudhe kohore, është vendimtar dhe i padiskutueshem edhe kontributi krejt i vecantë në gjallërimin e publicistikëns lokale dhe bashkëpunimi i ngushtë i përjavshem i Pavllo Gjidedes me gazetën lokale të asaj kohe,Zëri i Vlorës.Reportazhet e shkrimet e tij plot gjallëri,zgjuan interesimin e një mase të madhe lexuesish vlonjatë të asaj periudhe kohore. Bregdetasi Dr.Pavllo Gjidede,nisi të spikaste e shquhej për pasionin e tij dhe sedrën e lartë,duke shpalosur interesa të pafundme,me synime madhore.Mendja e tij «makavielike», përherë në kërkim, bota e tij magjike,e harmonizuar me ato perla joniane krejt të vecanta,sendërtohej nëpërmjet mprehtësisë së penës së tij në publicistikë, duke tërhequr kësisoj vëmendjen e lexuesve,në reportazhe e shkrime ku shpaloste frymëzimin e tij krejt të vecantë,si një mjeshtër i fjalës, duke fituar simpatinë e admirimin e lexuesve të rinj. Dr.Pavllo Gjidede – Një njeri i jashtëzakonshëm,me energji të pashtershme,me një botë të madhe tepër interesante,penëtar,pasues i denjë i Bijve të lavdishëm himariotë «Τë penës e të dyfekut»,njeri me shpirt delikat,përherë i impresionuar me shqetësimet e botën e tij perfekte,me kosmopolitizmin e tij,me imagjinatë e ide shumë herë më përpara se vetë koha që ai jetoi. Me atë penën e tij,që e shndërroi në instrumentin parësor të shprehjes së botës, ëndërrave, vizioneve, përsiatjeve, naracioneve,vargjeve e brengave,duke ndjekur besnikërisht e duke ecur në gjurmët e të parëve të hershëm të vendlindjes së tij, ai lartësohet si një publicist me vlera të jashtëzakonshme, si një krijues – thesar unikal, me pasion e përkushtim që ai u fokusua e i kushtoi gjithë jetën e tij,duke i shërbyer parimeve të gazetarisë dhe të vërtetës. Dr.Pavllo Gjidede si modeli i njeriut, si drejtues e kryeredaktor i gazetës «E adhmja», si intelektual i përkushtuar, u shndërrua në një gazetar mit,duke lëvruar disa zhanre gazetareske, por që u vecua dhe spikati në artikujt, reportazhet, intervistat, përshkrimet, editorialin, portretet dhe analizat apo gjini të tjera të fushës së publicistikës. Dr.Pavllo Gjidede për kontributet e cilësitë njerëzore që manifestoi,spikati dhe ka shkruar histori jo vetëm në fushën e publicistikës e gazetarisë por përpos kësaj, edhe në fushën e botimeve dhe kërkimeve shkencore me hulumtime dhe memorialistikë.Në vitet 1979-1983, tanimë Pavlloja pozicionohet si Sekretar i Kolegjiumit të revistës «Studime Politiko-Shoqerore», e njëherazi si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Kulturës Popullore dhe atij të Gjuhësisë e Letërsisë,ku angazhohet gjerësisht në kërkimet shkencore. Për kontributet e tij studimore, Pavllo Gjidede,laurohet me titullin shkencor të Doktorit. Dr.Pavllo Gjidede-prej vitii 1984-1987,e shohim si Drejtor, ne krye të Shtëpisë Botuese 8 Nentori. Autor i 11 botimeve të ndryshme,ku mund të vecojme Fletët e një Ditari,Midis nëntë maleve,Shtegëtim në lashtësi,Pranverë vrastare,Rrugë të mbarë nëpër Vlorë, Legjenda Himariote,Zaho Koka, Përse kaq shumë urrejtje në ndershmërinë e re,Cajka,Dashuri e Plumba,Nga Gorbacovi tek Ramiz Alia. Dr.Pavllo Gjidede si mit ose si gazetar me përmasa madhore,ka zenë një vend krejt të vecantë në historinë moderne të publicistikës shqiptare duke përjetuar caste e momente dramatike të jetës politiko shoqërore të kohës e njëherazi si protagonist real. Koha dhe historia,natyrisht që do e vlerësojnë rolin e tij të spikatur e krejt të vecantë,rol në të cilin ai na ofroi momente krejt të vecanta plot bukuri, dhe që në cdo hap të tij, kishte si busull orientuese, «Lavdinë e të parëve, të cilën e vlerësonte dhe e shihte si dritën ndricuese për brezat pasardhëse» ! Vepra e Dr.Pavllo Gjidedes, do të mbetet një trashegimi e vyer për gjithë publicistikën moderne,për gjithë historinë e Bregdetit,vendlindjes aq të adhuruar e të dashur të tij. Si pa u ndjerë, kaluan 5 vjet me mungesën e penëtarit,publicistit brilant, Dr.Pavllo Gjidede. Gjithësekush,do të ndihej në një pozitë tepër të vështirë për të ravijëzuar e përmbledhur veprën e tij,jetën e tij,kontributet e tija, ato relike thesarësh që ai qëmtoi dhe na dhuroi me bujari, ne miqve, që patëm fatin dhe e njohëm nga afër,të afërmve,bashkëpunëtorëve dhe kolegëve,brezave të ardhshëm si një thesar të vyer, si bashkëudhëtare dhe udhërrëfyese në sfidat dhe rrebeshet e kohërave. Dr.Pavllo Gjidede ishte dhe mbetet përjetësisht,një personalitet i shquar i gazetarisë,një publicist simbol e një personalitet stoik, madhor e i pathyeshëm. Si bashkëkohës,PËRULEMI me mirënjohje e respekt tek një prej korifejve të gazetarisë dhe publicistikës,përulemi përpara kontributit dhe trashëgimisë së këtij biri të ndritur Himariot,sic ishte gjatë gjithë jetës së tij,i paharruari Dr.Pavllo Gjidede. Athinë,10.05.2018

Show More

Related Articles

%d bloggers like this: