Drejtori i përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame ishte në Pilur të Himarës, për të vijuar procesin e regjistrimit fillestar të pronave në bregdet.
Në takimin që zhvilloi me banorë, Lame tha se “Piluri është një ndër fshatrat më të sistemuar në Shqipëri, pasi ndryshe nga zona të tjera, që ndërtojnë shtëpitë fillimisht e më pas fshatin, këtu është ndërtuar qendra e fshatit dhe tani zona vijon të rinovohet dhe të ndreqet në çdo drejtim”.
“Ju e dini se Kadastra ka marrë nismën për regjistrimin e pronave, tokave bujqësore, banesave, shtëpive të vjetra dhe të shtëpive që janë për legalizim, në fshatrat e bregdetit të jugut. Përgjithësisht jemi marrë me zonën bregdetare, pasi dhe interesi për zhvillim në atë zonë ka qenë më i madh dhe se shpesh është thënë se po na i marrin tokat oligarkët, ata e këta, e kështu me radhë dhe regjistrimi i pronave në emër të banorëve të këtyre fshatrave mbylli zërat që ishin thënë”, tha Lama.
Tashmë që ka përfunduar pjesa më e madhe e regjistrimit të fashës bregdetare, ky proces po zhvendoset në fshatrat e Bregut që gjenden përtej kësaj fashe. Në këtë kategori bën pjesë edhe fshati Pilur, së bashku me tokat bujqësore që i përkasin.
Piluri është një fshat me histori dhe i famshëm për grupin e tij të polifonisë, i dëgjuar në të gjithë botën shqiptare. Këtë vitalitet të tij e shpreh edhe fakti që, fshati jo vetëm që nuk është zvogëluar gjatë periudhës së tranzicionit, por përkundër është zmadhuar, duke patur aktualisht rreth 150 shtëpi.
Kjo zonë mbart problematika të shumta në aspektin e pronave. Të gjitha shtëpitë rezultojnë të paregjistruara asnjëherë, me përjashtim të vetëm të 8 prej shtëpive të vjetra që kanë tapi të vitit 1932. Që nga ai vit, asnjë pronë nuk ka dokument pronësie. Gjithashtu në fshat janë ndërtuar edhe rreth 20 shtëpi të reja, edhe ato të përfshira në procesin e legalizimit.
Por problem më i ngatërruar i mbarur nga tranzicioni, është ai i tokës bujqësore dhe i ullishtave. Në fshatin Pilur pjesa dërmuese e familjeve nuk është pajisur me AMTP në vitin 1991, kur u nda toka bujqësore dhe vijonte prej dekadash në këtë situatë. Tejkalimi i këtij ngërçi, mundësohet vetëm përmes zgjidhjes së ofruar me ligjin e ri 20/20, i cili mundëson njohjen e pronës së poseduar dhe pajisjen me akte të reja pronësie mbi këtë bazë. Ky proces do të ndiqet për të 400 pasuritë bujqësore që i përkasin këtij fshati.
Vitin e fundit, vijoi ai, Kadastra i hyri punës dhe u mor me fshatrat e Jugut, e ndaj nuk janë dëgjuar më këto llafe. Pas pronave të bregut, plani i dytë është të merremi me fashën përtej zonës bregdetare, në po këto fshatra të Bregut.
Lame tha se, referuar dokumenteve të vjetra në 1991, fshati Pilurit kishte 136 familje bujqësore të cilave do t’iu ndahej toka sipas Ligjit 7501. Por banorët e Pilurit nuk kanë marrë asnjë pronë dhe ky nuk është as fshati i parë dhe as i fundit me këtë problem, që nuk ka marrë pronë me ATMP.
“Me Ligjin 7501 fshati është ndarë, por asnjë nuk ka marrë pronën me ATMP. Tani që kemi një ligj të ri, na jepet mundësia të regjistrojmë pronat. Unë kam qenë në shumë fshatra dhe për sa i takon pronës, halli hallit nuk i ngjan, ndaj dhe ne jemi duke marrë kontakt me banorë të këtyre fshatrave për t’u njohur me problemet dhe të vrasim mendjen për t’ju dhënë zgjidhje”, u shpreh Lame.
“Ne kemi ardhur për t’ju dhënë tapinë e pronës tuaj”, theksoi ai në takimin me qytetarë të fshatit Pilur, teksa vuri në dukje se, vështirësia e tapive është se ka një pjesë që nuk e kanë marrë tokën sipas ligjit 7051 apo siç ka të tjerë që e kanë marrë me ATMP, por nuk kanë certifikatë pronësie.
Lame tha se, “gjëja tjetër që do të zgjidhim është se familjet që e kanë ATMP-në, do të pajisen me certifikatë pronësie. Familjet që kanë marrë pronën sipas ligjit, por nuk kanë marrë ATMP, përbëjnë kategorinë e dytë, që përfshihet në zgjidhjet që jep ligji, që do të thotë pajisja me ATMP të re për ta dhe më pas me certifikatë pronësisë”.
Lame sqaroi se për këto raste do të lëshohet një dublikatë e ATMP dhe më pas aplikohet regjistrimi.
Lame informoi se, në ditët në vijim në fshatin Pilur do të vijnë ekipet nga Kadastra Shqiptare, që do të bëjë matjet e tokave, të shtëpive të vjetra dhe të reja.
Lame garantoi se ligji 2020 i jep zgjidhje çdo problemi me tokën. Ai tha se çdo pronar i shtëpisë duhet të sjellë një dokument që të lidhë familjen me banesën. Ndërkohë që çdo pronar do të nënshkruajë edhe dokumentin për përgjegjësinë penale që mban mbi pronësinë e deklaruar. “Pra shteti ka përgjegjësinë ta regjistrojë pronën dhe pronari ka përgjegjësinë e vërtetësisë për këtë pronë dhe për ta ndarë atë pronë me pjesëtarët e tjerë të familjes”, deklaroi Lame.
Në fshatin Pilur janë 150 shtëpi, nga të cilat 15 objekte janë ndërtuar pas ’91 dhe 5 objekte nga këto kanë mbyllur procedurat e janë gati për regjistrim.
Më pas u vijua me dhënien e dokumentit të pronësisë për një pjesë të shtëpive të fshatit, shumica të ndërtuara që para 150-200 vjetësh./ATSH