Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot se “me Paketën e Rezistencës Sociale do të rritet mbështetja për energjinë elektrike për personat me aftësi të kufizuar”.
Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë Manastirliu theksoi se “një tjetër vendim i rëndësishëm sot është marrë nga qeveria në lidhje me mbështetjen për energjinë elektrike, për kompensimin e masës së ndihmës për energjinë elektrike për personat të cilët kanë status të aftësisë së kufizuar paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, të cilëve u rritet masa e mbështetjes për kompesimin për energjinë elektrike. Kjo masë mbështetjeje për personat me aftësi të kufizuar para dhe tetraplegjikë që e kanë këtë masë mbështetjeje nga statusi dhe gjithashtu për personat e verbër të kategorisë së parë kjo masë mbështetjeje shkon nga 2,000 lekë të reja që është aktualisht, në 3,000 lekë të reja”.
“Ndërsa për sa i përket personave të cilët kanë status të verbër të kategorisë së dytë nga 1,400 lekë të reja që është sot, shkon në 2,400 lekë të reja. Nga kjo mbështetje përfitojnë më shumë se 12 mijë persona, të cilët përfitojnë nga statusi”, tha Manastirliu./atsh