Kulture

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë Vlorë

Prek trashëgiminë. Muzeu Kombëtar i Pavarësisë

Statusi i Objektit: Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, siç njihet ndryshe godina ku ka pasur Selinë Qeveria Provizore e Ismail Qemalit në Skelën e Vlorës, është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë dhe Muze i Pavarësisë Kombëtare më 27 Nëntor të vitit 1962, ndërsa emërtimin përfundimtar “Muzeu Kombëtar i Pavarësisë” e ka marrë me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr 293, datë 17/05/2006.
Viti/koha e ndërtimit: Shek. XIX.

Vendndodhja: Qyteti i Vlorës, Bashkia Vlorë.

Përshkrimi: Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, ndodhet në zonën e Skelës së Vlorës, në një ndërtesë dykatëshe buzë detit. Është një nga ndërtesat më të rëndësishme dhe simbolike, për historinë e pavarësisë kombëtare dhe shtetformimit. Ndërtesa në të dy katet ka rreth shtatë pavjone dhe dy holle, ndërsa pamjen e saj të thjeshtë katërkëndore e thyen një ballkon me pamje nga deti, i cili mbështetet në dy kollona me seksion rrethor që i japin një pamje dinjitoze. Kjo ndërtesë e cila fillimisht ka shërbyer si ndërtesë e Karantinës, pas shpalljes së pavarësisë kombëtare më 28 Nëntor të vitit 1912, u bë selia e Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit për 14 muaj, deri në 22 Janar të vitit 1914, kur Ismail Qemali u largua nga kjo ndërtesë për të marrë anijen drejt Italisë. Në ballkonin e saj është shkrepur edhe fotografia e famshme me rastin e një vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1913. Më 8 Tetor të vitit 1936 godina historike u kthye në të parin Muze Arkeologjk në Shqipëri, ku u vendos koleksioni i pasur me objekte të nxjerra nga gërmimet dymbëdhjetvjeçare në Apolloni të misionit arkeologjik Francez i drejtuar nga arkeologu Leon Rey. Për fat të keq me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në Luftën e Dyt Botërore, disa nga objektet e koleksionit u dëmtuan dhe grabitën. Në kuadrin e 50 vjetorit të pavarësisë kombëtare më 27 Nëntor 1962, në këtë ndërtesë u bë përurimi i muzeut të pavarësisë kombëtare në prani të autoriteteve më të larta të vendit dhe përfaqësuesve të disa kolonive shqiptare në Sofje, Australi, Francë, Amerikë etj. Për disa kohë dhe disa dekada deri sa u ngrit Muzeu Historik Kombëtar në TIranë, muzeu i pavarësisë përfaqësonte një ndër realizimet më të spikatura të muzeologjisë shqiptare, një muze me përmasa e hapësirë të gjerë, që pasqyronte një periudhë që shkonte qysh nga hapat e para të Rilindjes sonë Kombëtare, shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe veprimtaria e qeverisë provizore të kryesuar nga Ismail Qemali. Në këtë muze të bukur, të realizuar me mjeshtëri, vizitorin e tërheqin të gjitha stendat me eksponatet e tyre, por në mënyrë të veçantë kabineti i Ismail Qemalit, ku ndodhet dhe pena origjinale me të cilën Ismail Qemali firmosi Aktin e Shpalljes së pavarësisë, aparatin mors me anën e të cilit u njoftuan kancelaritë perëndimore se Shqipëria u shpall e lirë dhe e pavarur, një galeri e tërë fotografish të patriotëve të Rilindjes dhe luftëtarëve të pavarësisë, armët, flamurët, dokumentacioni i pasur, veprat e artit që pasqyrojnë momente të caktuara nga ngjarja e madhe e pavarësisë kombëtare etj.

Bibliografia: Qemali. I., Kujtime, Botimet Toena, Tiranë 2009; Adhami. S., Muzeologjia Shqiptare, ShB GERVIS, Tiranë 2001; Konomi. I., Pavarësia, Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit, UET/Press, 2012.

Funksioni: Karantinë, Seli e Qeverisë Provizore të Vlorës, Muze Arkeologjik, sot është Muzeu Kombëtar i Pavarësisë.

Hyrja: Me biletë/Çmimi 100 Lekë.
Pensionistët, veteranët e luftës, invalidët tetraplegjikët dhe paraplegjikët, ish të dënuarit politik si dhe jetimët, përfitojnë reduktimin në 50% të çmimit të biletës. Studentët e shkollës së lartë, përfitojnë reduktimin në masën 70 % të çmimit të biletës. Fëmijët deri 8-vjeç, përfitojnë hyrje të lirë.
Itinerari: Drejt Muzeut Kombëtar të Pavarësisë mund të shkoni me çdo mjet transporti, në skelën e Vlorës pranë Portit.

Pozicioni në Google Map:
https://goo.gl/maps/KFYaU7SVeVv

Image may contain: sky, house and outdoor

Image may contain: house, sky and outdoor

Loading…

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

%d bloggers like this: