SportTe gjitha

Ndeshja e lamtumirës, Buffon luan për një rekord tjetër

Kampionati i Seria A është gati të përfundojë dhe do ta bëjë këtë në mënyrën se si ne jemi mësuar ta shohim për shtatë sezone radhazi, me triumfin e Juventusit si kampion në stadiumin “Allianz”, ku do të presë Verona, në një ndeshje që do të ketë shumëçka për të thënë.

Kjo do të jetë hera e fundit Gianluigi Buffon, që do të mbrojë portën e Juventusit, pasi ditë më parë njoftoi lamtumirën e tij nga “Zonja e Vjetër”, por jo nga futbolli. 40-vjeçari pret që aventura e fundit, para se t’i varë dorezat në gozhdë, të jetë në një klub tjetër të madh europian (PSG, në veçanti).

Numri një i bardhezinjve do të marrë një vlerësim të përshtatshëm nga i gjithë stadiumi, në veçanti nga “curva”, ku do ta nderojnë me një koreografi, me anë të së cilës do t’i kujtojnë të gjitha vitet e kaluara në Torino. Natyrisht, duke e falënderuar për këmbënguljen e tij dhe vullnetin, që e kanë dalluar gjithmonë.

Por, ndeshja Juventus-Verona ka edhe një tjetër referencë, në lidhje me të dhënat statistikore. Në qoftë se Buffon nuk pëson gola sot, do të ngjitet në kuotën e 23 ndeshjeve me portën e pastër. Një rekord historik ky, në një kampionat si Seria A, që do të përmirësojë atë të Milanit (22 ndeshje pa pësuar gol), në sezonin 1993-1994, tashmë i barazuar nga Juventusi i sezoneve 2013-14 dhe 2015-2016.

Vërshëllima finale e kryesorit të këtij ballafaqimi do të shënojë edhe kulmin e festës, me dorëzimin e trofeut të titullit nga presidenti i Ligës, Gaetano Micciche. Më tej, festimet do të pushtojnë qytetin, me ekipin bardhezi që do të parakalojë hipur në një autobus të zbuluar.

Këto janë formacionet e mundshme të ndeshjes:
JUVENTUS (4-3-3): Buffon; Lichtsteiner, Rugani, Benatia, Alex Sandro; Marchisio, Pjanic, Sturaro; Dybala, Higuain, Douglas Costa.
VERONA (4-3-3): Nicolas; Bearzotti, Caracciolo, A. Ferrari, Souprayen; Romulo, Danzi, Zuculini; Matos, Cerci, Fares.

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

%d bloggers like this: