Kodi Penal do të ndryshojë duke parashikuar dyfishimin e dënimeve për krimet kundër personit, ato brenda familjes dhe veprat penale kundër fëmijëve. Për rastet kur autorët janë përsëritës, ndryshimet parashikojnë edhe heqjen e të drejtës për gjykim të shkurtuar.

Dënimet për krimet e përsëritura ndaj personit, ato në familje dhe ndaj fëmijëve do të dyfishohen.

Ky ndryshim parashikohet në draftin e ri të kodit penal të publikuar më 13 shtator nga ministria e drejtësisë.

Drafti është hartuar në përputhje me këshillimin kombëtar të ndërmarrë nga qeveria më herët ku publiku e ka mbështetur dyfishimin e dënimeve për këto vepra penale.

Në rastin kur personi, pasi është dënuar më parë për një krim të kryer me dashje, kryen një tjetër krim me dashje, gjykata mund të shtojë masën e dënimit me një të tretën.

Dënimi mund të shtohet deri në një të dytën në rastet kur, krimi i ri i kryer, me dashje, është i së njëjtës natyrë, është kryer gjatë ekzekutimit të dënimit apo gjatë kohës në të cilën i dënuari vullnetarisht i shmanget ekzekutimit të dënimit, apo është kryer brenda pesë viteve nga përfundimi i ekzekutimit të dënimit të mëparshëm.

Po ashtu një tjetër ndryshim do të pësojë edhe aplikimi i gjykimit të shkurtuar.

Sipas dokumentit autorët që kryejnë veprat penale të dhunës në familje apo krime ndaj fëmijeve nuk do ta kenë mundësinë e aplikimit të gjykimit të shkurtuar, çka u ul edhe një të tretën e dënimit në fund të procesit.

Sipas qeverisë nëpërmjet këtij projektligji synohet parandalimi i këtyre veprave penale dhe ulja e kriminalitetit.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *