Në kushtet kur e gjithë bota po përballet me krizën e furnizimit me energji elektrike, ekipet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë nisur aksionin për ndalimin e keqpërdorimit të energjisë.

OSHEE bëri të ditur sot se ka nisur kontrollet për ndalimin e vjedhjes së energjisë elektrike në të gjithë vendin.

Sipas OSHEE_së, për çdo rast të evidentuar, në bashkëpunim me policinë zhvillohet procedura e denoncimit dhe ndjekjes penale.

OSHEE publikoi edhe rastin e fundit në Spitallë Durrës, ku u evidentua vjedhje e energjisë, lidhur direkt me shtyllën jashtë matjes.

Në planin e masave të prezantuara pak ditë më parë, qeveria parashikon mbajtjen të pandryshuar të çmimit të energjisë për familjarët deri në fashën 800 kWh, si dhe ngritjen e një taskforce për evidentimin e vjedhjes së energjisë. Pas kësaj fashe, çdo kilovat i shpenzuar do të tarifohet me 41 lekë.

Referuar të dhënave të publikuara, 96 % e abonentëve familjarë konsumojnë nën 800 kWh. 4 % e abonentëve familjarë që shpenzojnë mbi 800 kWh, përbëjnë 19 % të volumit të konsumit mujor.

Me vendosjen e fashës 800 kWh parashikohen 100 milionë euro të ardhura shtesë në buxhetin e kompanive energjetike gjatë periudhës tetor 2022-dhjetor 2023.

Po ashtu, në të gjithë vendin do të nisë një fushatë ndërgjegjësuese për kursim të energjisë. Vendosja e kësaj fashe pritet të ndikojë në sjelljen e konsumatorit dhe parashikohet që kursimi të jetë 2.5 %./atsh

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *