Tre persona janë proceduar për tregtim të aparateve celulare të dyshuara të kontrabanduara nga policia e Beratit.
Me finalizimin e operacionit të koduar “Phones”, policia sekuestroi 95 telefona me vlere 3.7 milion lekë ndërsa u proceduan penalisht:
M. Sh., 31 vjeç, banues në Kuçovë, administrator subjekti;
N. H., 24 vjeç, banues në Berat, administrator subjekti;
A. B., 33 vjeç, banues në Berat, administrator subjekti.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në 3 subjektet (dyqanet) që këta shtetas administronin u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 95 aparate celulare të markave të ndryshme, me vlerë totale rreth 3.700.000 lekë të rinj, për të cilët këta 3 shtetas nuk dispononin faturat tatimore përkatëse,” njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Tregtimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve”.