KultureLifestyle

Plakut që kujdeset për shtatoren e Nënë Terezës në shesh i dhurohen 1 mijë dollarë

Atë që nuk po arrin ta bëjë Komuna e Prishtinës, ka zgjedhur ta bëjë një i moshuar. 77 vjeçari, Faik Sefa, nga Koliqi, ka më shumë se pesë vjet që kujdeset për shtatoren e Nënë Terezës dhe hapësirën rreth saj. Ai e pastron këtë hapësirë më shumë se pesë herë në ditë, ndonëse nuk merr asnjë cent për këtë. Thotë se këtë e bën në shenjë falënderimi për atë që ka bërë humanistja për shqiptarët përgjatë viteve. E një shenjë respekti për punën e tij, disa biznesmenë kanë mbledhur rreth 1 mijë dollarë. Express sjell rrëfimin e 77 vjeçarit për punën që bën
Faik Sefa zgjohet herët çdo mëngjes e niset për në “punën” e tij.

Para orës 08:00, ai përditë merr rrugën drejt sheshit ‘Nëna Terezë’, për të pastruar shtatoren e humanistes dhe hapësirën rreth saj, ndonëse nuk merr asnjë cent për këtë.

Këtë punë ai thotë se e bën për më shumë se pesë vjet rregullisht, si shenjë falënderimi për atë që ka bërë Nëna Terezë për shqiptarët. Derisa shton se për punën që bënë nuk merr asgjë në këmbim.

“Unë e bëj këtë punë qe pesë vite rregullisht. Prej mëngjesi qe pesë herë e kom fshi, edhe e kam la, veq për hatër që na u ka gjend edhe na ka ndihmu. Krejt shqiptarisë na ka ndihmu. Gjithë këtë punë e kam ba prej vullnetin, e për pare se kisha ba kurrë me marrë fshisën pas kaq vitesh”, tregon Sefa për Gazetën Express.

77 vjeçari nga Koliqi tregon edhe një rast kur ai kishte qenë i sëmurë, dhe se si i kishte siguruar ilaçet tek shoqata “Nëna Terezë”. Thotë se këto të mira, po mundohet t[ia kthejë në këtë formë.

“Unë për veti kam qenë i sëmurë në 97’ën, unë i kam marrë ilaçet të Nëna Terezë e jam shëruar. Gjithë këto të mira, unë po mundohem me ia kthy qeshtu. Vijë në ore tetë gjithë, edhe e pastroj pesë herë në ditë, por nëse ka nevojë edhe më shumë”, thotë ai.

Por, edhe pse ai kujdeset çdo ditë për këtë hapësirë dhe e pastron, ka të tjerë që e dëmtojnë. Deklaron se po të mos kujdeset vetë për të, kush e di se në çfarë gjendjeje do të ishte tani.

Sefa thotë se Komuna duhet të kujdeset më shumë për këto hapësira, pasi që sipas tij nuk po bën sa duhet në mirëmbajtjen e shesheve.

“Këtu vijnë shumë gra më fëmijë, e po e dëmtojnë edhe shtatoren se fëmijët po drejtojnë gurë nga ajo, edhe kur të iu them që me u kujdes për ta ma bajnë çka po të intereson. Ne duhet të gjithë më u kujdes për ta se ka ndihmu. Komuna duhet të bëjë më shumë për këto hapësira”, tregon Sefa.

E ndonëse e bën këtë punë nga vullneti, disa biznesmenë kanë vendosur që të mbledhin disa para për të në shenjë respekti për punën që bën.

Ka qenë biznismeni Naim Dedushaj që ka marrë këtë iniciativë. Dedushaj tregon se si bashkë me disa biznismenë shqiptaro-amerikanë kanë mbledhur rreth 1 mijë dollarë për të.

Dedushaj i ka thënë Gazetës Express se do të vazhdojnë të mbledhin edhe fonde të tjera simbolikë në shenjë të respektit për punën që bën ai. Derisa shton se Faiku po e bën atë që në fakt do të duhej ta bënte Komuna e Prishtinës.

“Për shkak të respektit, disa shokë të mijë biznesmenë kur kanë ardhë në vizitë, janë taku me të, edhe kanë vendos që ta mbledhin një shumë simbolike sa për respekt. Kemi mbledh një shumë prej 1 mijë dollarësh nga shokët në Amerikë, dhe besojmë që do të vazhdojmë që të mbledhim sërish para”, ka thënë ai.

Ai thotë se Komuna do të duhej ta rinovonte këtë pjesë dhe t’i shtonte disa shporta të mbeturinave, pasi që aktualet janë të dëmtuara tërësisht.

Shton se nëse komuna nuk merr masa, ai do të kërkojë nga biznesmenët që të investojnë në këtë hapësirë, pasi që siç thotë ai, sheshet janë pasqyrë e kryeqytetit.

“Ka nevojë për një renovim në tërësi pasi që secili delegacion që vjen kalon këndej, dhe është njëfarë forme edhe pasqyrë e qytetit. Është dashtë që Komuna dhe institucionet e tjera të kenë një përkujdesje më të madhe për këtë. Nëse komuna nuk merr masa do të investojmë ne”, thotë Dedushaj.

Plaku 77 vjeçar thotë se do të vazhdojë ta bëjë këtë punë derisa ta mbajnë këmbët, me shpresën se Komuna në të ardhmen do të bëjë më shumë për këtë hapësirë, derisa shton se të mirat që ka bërë Nëna Terezë nuk duhet të harrohen asnjëherë. /Gazeta Express.

Loading…

Më shumë

Artikuj të ngjashëm

%d bloggers like this: