Një 40-vjeçar nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe u largua me shpejtësi me automjet në Kukës.
Ai ishte duke transportuar 10 emigrantë të paligjshëm, dhe në ikje ka rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë, ndërsa tashmë është shpallur në kërkim.
“Në vendin e quajtur “Ura e Drinit të Zi”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin D. M., i cili nuk i është bindur urdhrit të tyre, por është larguar me shpejtësi në drejtim të fshatit Breg Lum, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë, dhe më pas ka braktisur automjetin me të cilin transportonte 10 shtetas të huaj.
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi D. M. do t’i ndihmonte shtetasit e huaj, që të kalonin në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, kundrejt fitimit. Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit D. M., 40 vjeç, banues në fshatin Breg Lum, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.” – njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.