Qeveria miratoi pak ditë më parë vendimin që ka të bëjë me konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje me qëllim fitimi.

Në Fletoren Zyrtare u publikun së fundmi edhe rregullat dhe procedurat për zbatimin e këtij vendimi, në përputhje me parashikimet e ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Vendimi përcakton që përpara fillimit të procedurës së konfiskimit, dhe deri në marrjen e vendimit të konfiskimit nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit, zhvilluesi apo çdo subjekt i autorizuar prej tij, me akt noterial kalon në favor të shtetit, me kontratë premtim shitjeje me vlerë 1 euro, shprehimisht ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronave shtetërore të drejtën e pronës të sipërfaqeve të ndërtuara pa leje ose në tejkalim të lejes së ndërtimit, me qëllim përdorimin e tyre për nevoja të strehimit social apo për interes publik.

Sipërfaqet që kalojnë në pronësi të shtetit nuk konsistojnë në realizimin nga subjekti zhvillues të detyrimit në kuptim të nenit 19, të ligjit, “Për strehimin social”. Neni 19 përcakton se çdo subjekt privat që aplikon për leje zhvillimi dhe ndërtimi për banim, mbi 2 000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën 3 % të sipërfaqes funksionale, me kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik të banesave sociale.

Në rregullore përcaktohet që shpenzimet noteriale mbulohen nga subjekti zhvillues.
Akti noterial përbën shprehjen e interesit të subjektit për një ndryshim të lejes së ndërtimit, e cila merret në shqyrtim nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Nëse kërkesa pranohet, Këshilli Kombëtar i Territorit vendos ndryshimin e lejes përkatëse të ndërtimit, duke njohur të drejtën e ministrisë përkatëse për administrimin e pronave shtetërore si bashkëpërfituese e objektit të ri, i cili do të konsiderohet si objekt i ndërtuar në kushtet e lejes së ndërtimit.

Ndërtimet e konfiskuara, sipas këtij vendimi mund t’i transferohen me të drejtë parablerjeje subjektit zhvillues të objektit, apo çdo subjekti të autorizuar prej tij, për një vlerë jo më të vogël se çmimi i tregut, dhe fondet e siguruara përdoren për shpronësim, trajtim të posaçëm apo kompensime me qëllim realizimin e punëve publike.

Pagesa e çmimit të punimeve në tejkalim të lejes nuk e çliron subjektin nga detyrimi i pagesës së gjobës së parashikuar nga ligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Në pikën 1 të nenit 52 të ligjit të cituar më sipër parashikohet që kryerja e punimeve pa leje dënohet me gjobë të barabartë me vlerën e punimeve të kryera pa leje, por në çdo rast jo më pak se 500 000 lekë, dhe me prishje ose konfiskim për interes publik të punimeve të kryera.

Nga momenti i kryerjes se aktit të konstatimit të paligjshmërisë në ndërtim deri në përfundim të procedurës së konfiskimit, punimet pezullohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Procedura e konfiskimit për interes publik, sipas këtij vendimi fillon me propozimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) pranë Këshillit Kombëtar të Territorit, në vijim të inspektimeve periodike të kryera kryesisht apo pas marrjes së njoftimit nga IMT-ja vendore.

Ndër të tjera në raportin përmbledhës për qëllimin, e shkakun e konfiskimit duhet të përfshihet edhe akti i ekspertimit nga Instituti i Ndërtimit, ku të përcaktohet se për shkak të qëndrueshmërisë së objektit është e pamundur prishja e tij.

Procedura përcakton edhe detyrimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për regjistrimin e vendimit të konfiskimit së bashku me certifikatën e përdorimit, e cila, përveç pjesëve të objektit që janë ndërtuar konform lejes së ndërtimit dhe që mbeten në pronësi të zhvilluesit ka të parashikuar edhe pjesët e konfiskuara/kaluara në favor të shtetit, referuar vendimit të konfiskimit, të lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit

Ministri përgjegjës për administrimin e pronave shtetërore, brenda 7 (shtatë) ditëve nga njoftimi i vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit, nxjerr urdhrin për zbatimin e tij.
Nëse subjekti shpreh interesin për të parablerë punimet pa leje, ministri përgjegjës për administrimin e pronave shtetërore kryen procedurën e parablerjes dhe bën derdhjen e fondit përkatës në llogarinë e të ardhurave të thesarit në degë me destinacion llogarinë speciale të shpronësimeve pranë Bankës së Shqipërisë.

Autoriteti përgjegjës për ndjekjen e procedurës së konfiskimit të objektit, brenda 7 (shtatë) ditëve nga nxjerrja e urdhrit të ministrit përgjegjës për administrimin e pronave shtetërore, i njofton masën e konfiskimit të objektit personave apo subjekteve që preken nga masa.

Certifikata e përdorimit, si për pjesën e objektit konform lejes, ashtu edhe për pjesën e konfiskuar me vendim të KKT-së, do të lëshohet konform legjislacionit për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit.

Të gjitha të ardhurat e përftuara nga përdorimi i objekteve të konfiskuara, të ndryshme nga ato të parashikuara në pikën 12, të këtij vendimi, kalojnë në buxhetin e shtetit.

Shpenzimet për administrimin e objekteve të konfiskuara përballohen nga buxheti i shtetit.

Ministria përgjegjëse për administrimin e pronave shtetërore, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, krijon dhe administron një regjistër të veçantë për regjistrimin dhe inventarizimin e objekteve të konfiskuara me çdo të dhënë të tyre.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare./ATSH

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *