Dhjetëra kallëzime janë depozituar në Komisariatin e Sarandës në vitin 2021 ndaj zyrtarëve të administratës publike lidhur me problemet e pronave në qytet. “BalkanWeb” ka arritur të sigurojë të dhëna për periudhën maj – nëntor të vitit të kaluar lidhur me të paktën 18 kallëzime, të cilat më pas Komisariati i Sarandës i ka referuar Prokurorisë së Rrethit për vepra penale si “shpërdorim detyre”, “falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “falsifikimi i dokumenteve”.

Kështu në 10 raste janë kallëzuar zyrtarë të Bashkisë Sarandë lidhur me favorizim ndërtimesh të paligjshme, prishje të padrejta ndërtimesh dhe mosveprime për goditjen e ndërtimeve të paligjshme apo lirimin e hapësirave të zaptuara. Në 6 raste janë kallëzuar zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ASHK Sarandë lidhur me legalizime të paligjshme, regjistrime e pajisje të paligjshme me certifikate pronësie dhe mosvperim lidhur me detyrime ligjore. Një nga kallëzimet e tjera është e një qytetari nga Saranda, i cili ka kallëzuar përfitimin e 990 m2 pronë publike në lagjen nr.4 përmes dokumenteve të falsifikuara dhe rasti i fundit i takon kallëzimit të një qytetari për një ngjarje sipas tij të ndodhur në vitin 2006, ku Kryetari i Bashkisë i asaj kohe në bashkëpunim me shefin e urbanistikes, kanë falsifikuar dokumentet duke i dhënë një truall 300 m2 në pronësi të kallëzuesit, një shtetasi tjetër.

Ajo që bie në sy në këto kallëzime është se në një nga rastet, kallëzimi ka ardhur me letër nga Italia, ku dy qytetarë italianë kanë kallëzuar zyrtarë të ASHK për legalizimin e një prone e cila në fakt krijonte mbivendosje me pronën e tyre në Ksamil.

Të gjitha këto kallëzime i janë referuar Prokurorisë së Sarandës, e cila për dy prej tyre ka lëshuar urdhër-arreste ndërkohë që për të tjerat nuk dihet nëse janë pushuar apo janë ende në hetim.

Lascia un commento

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato.