Është vendosur në pranga një prej vëllezërve që plagosën me armë zjarri pronarin e një servisi në Vaun e Dejës.
Policia ka arrestuar 30-vjeçarin, Ardit Brahimi, i cili është dënuar me vendim të formës së prerë me 13 vite burg nga Gjykata e Apelit në Shkodër.
Më 11 maj të vitit 2018, tre vëllezërit Ardit Brahimi, T. B. dhe K. B. ( në atë kohë përkatësisht 24 dhe 19 vjeç), shkuan në servisin e Ermir Simonit për të rregulluar automjetin e tyre tip Benz.
Ata i kërkuan vëllait të biznesmenit që me ngulm që t’i rregullonte një defekt në automjet, por duke parë situatën dhe tonet kërcënuese, ai nuk ka pranuar që të merrej me makinën e tyre.
Pas kësaj, tre të rinjtë janë larguar për t’u rikthyer me armë në servis duke qëlluar në drejtim të dy vëllezërve. Ermir Simoni mbeti i plagosur dhe fatmirësisht arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Njoftimi i policisë më 12 maj 2018
Identifikohen autorët e ngjarjes së djeshme ku ka mbetur i plagosur shtetasi E. S., 43 vjeç, banues në Laç-Vau i Dejës
Më datë 11.05.2018, nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër nga veprimet e shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi i autorëve të ngjarjes dhe po punohet për kapjen e shtetasve:
A. B. 26 vjeç, T. B. 24 vjeç, K. B. 19 vjeç, (vëllezër) banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër, pasi për motive të dobëta, në një servis automjetesh në Laç, Vau i Dejës, kanë plagosur me armë zjarri, pistoletë, shtetasin, E. S., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, nën kujdesin e mjekëve.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja, model 54, kalibër 7.62 mm dhe 4 predha.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë, në bashkëpunim” e “Armëmbajtje pa leje”, parashikuar nga nenet 78-22 e 25 dhe 278 të Kodit Penal.